Shkruan: Ahmet Jashari
Kryeqyteti i Kosovës, nuk ka shtatore të Adem Jasharit, tash e 25 vjet pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Pse? Rastësi s’mund të jetë! U ndërmorën nisma, u bënë projekte, u caktuan lokacione, megjithatë Komandantit Legjendar nuk ju bë vend në qytetin pa lumë.
Aty ka lloj – lloj monumentesh, të kohërave të ndryshme, ka turke, sllave, shqiptare etj., si përkujtim i kohërave të rënda për shqiptarët. Por, aty nuk bëhet vend për njeriun që me gjak ndërtoi epokën e shqiptarëve.
Një problem serioz duhet të jetë me krerët e shqiptarëve, nëse jo me krejt shqiptarët. E duan lirinë, por jo edhe heronjtë e lirisë! Për ta bërë edhe më absurde situatën pati edhe peticion për ndërtimin e shtatores së heroit. Peticion, lutje, presion, kërkesë për Adem Jasharin në kryeqytet! Kush po e pengon? Kujt po i pengon?
Shtatorja në vetvete s ‘duhet të jetë pengesë. Ajo që Ademi përfaqëson edhe mundet. Ai përfaqëson guximin dhe fisnikërinë dhe kjo mund të jetë problem, në radhë të parë për politikanët që ju mungojnë këto veti. Ai përfaqëson të vërtetën dhe kjo mund të jetë problem për një shoqëri që qëndron mbi gënjeshtrën.
Ademin nuk e duan në Prishtinë ata që ishin kundër Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Ata që jetonin mirë në kohën e robërisë! Ata që abuzuan me lirinë, ata që u tjetërsuan! Prishtina i pranon të gjithë, përveç Adem Jasharit, meqë përmasat e tij sfidojnë konstruktet e shoqërisë së elitave të rrejshme.
Ademit nuk i duhet Prishtina, por Prishtinës i duhet Ademi! Ai sjell me vete dinjitetin, ai sjell me vete krenarinë, ai sjell me vete të vërtetën e shqiptarëve përballë botës! Ai rrënon propagandën! Ai përkujdeset për fëmijët e Prishtinës dhe për të ardhmen e tyre! Ai i ruan ata nga prindërit që nuk ua thonë të vërtetën!
Ai mishëron shqiptarin e vërtetë, atë që vdes për atdheun e vet! Ai e bën Prishtinën evropiane dhe jo ikanakët e mbështjellur me flamuj kombëtarë dhe elitarët e rrejshëm! Ai është i vërteti!