Familja Jashari mbetet themeli shtyllë e lirisë së Kosovës, madhështia dhe krenaria e kombit edhe përtej kufijve. Figura kombëtare e Adem Jasharit prin me numrin e përmendoreve të vendosura nëpër shumë qytete të Kosovës. Megjithëkëtë vazhdon të mungojë në kryeqytet.
Ndërtimi i shtatores së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, ndër vite ka qenë temë diskutimi e zotim i pushtetmbajtësve të kryeqytetit. U përfol në vitin 2018, kur kryeqyteti udhëhiqej nga Shpend Ahmeti, se përmendorja do të vendoset, te monumenti i periudhës komuniste, që tashme është emëruar Adem Jashari. Për më tej, në mandatin e parë, Përparim Rama, në mars të vitit 2024 hapi dhe konkursin për krijimin e Sheshit Monumental të Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Dy vjet më vonë, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka hapur edhe njëherë një tender, duke pritur ofertues për projektimin e ndërtimit të këtij memoriali përkujtimor.
“Komuna e Prishtinës, e ka hapë konkursin e ri, i cili është ndërkombëtar dhe jemi në prag të përzgjedhjes së individëve apo anëtarëve të komisionit, që do ta bëjnë përzgjedhjen e këtij projekti dhe të fillojmë sa ma shpejtë që është e mundur”, tha Gëzim Kastrati, drejtor i transformimit në Prishtinë.
Asamblistët komunalë të opozitës nënvizojnë se çështja e shtatores nëpër vite është përdorur për konsum fushatash, ndërkohë që edhe çështja e lokacionit mbetet e paqartë. Përveç sheshit mes kuvendit dhe komunës, një lokacion tjetër i mundshëm është mes ndërtesës së Kuvendit dhe Xhamisë së Gurit, ku më parë planifikohet të ndërtohet një nënkalim për vetura.
“Kanë kaluar katër vite e ne akoma nuk e dimë as lokacionin ku do të vendoset se jo tjetër. Vendimet që i merr për ndryshim të lokacioneve janë të paligjshme, sepse lokacionin e ndanë kuvendi komunal”, tha Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne e përkrahim shumë idenë, konceptin për ndërtimin e një sheshi i cili tregon për familjen e komandantit Adem Jashari dhe për të si personalitet”, tha Fjolla Vukshinaj nga Partia Demokratike e Kosovës.
E shtatorja e Komandantit legjendar, Adem Jashari, në kryeqytet shihet si domosdoshmëri edhe nga Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së.
“Ky kryeqytet ka nevojë edhe për figura të tjera. Pa Adem Jasharin qyteti nuk e ka hijeshin e vetë”, tha Gazmend Syla, nënkryetar i OVL-UÇK-së.
Figura kombëtare e Adem Jasharit prin me numrin e përmendoreve të vendosura nëpër shumë qytete të Kosovës. Familja Jashari, që mbetet themeli shtyllë i lirisë së Kosovës, madhështia dhe krenaria e kombit edhe përtej kufijve, në Prishtinë nuk duket. 27 vjet pas përfundimit të luftës Adem Jasharit, mungon në kryeqytet.






