21 C
New York
Sunday, October 19, 2025

Buy now

Prishtina me 51 anëtarë, kështu pritet të jetë përbërja e kuvendeve komunale pas zgjedhjeve të 12 tetorit

- Advertisement -

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të dhënat e përditësuara për ndarjen e ulëseve në kuvendet komunale, të bazuara në rezultatet e regjistrimit të popullsisë së vitit 2024.

Sipas këtyre të dhënave, numri i përgjithshëm i anëtarëve të kuvendeve komunale në të gjithë Kosovën do të jetë 942, me përbërje të përshtatur sipas madhësisë së popullsisë së secilës komunë.

Ky riorganizim ka rëndësi të veçantë për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor, pasi përbërja e re e kuvendeve komunale do të reflektojë ndryshimet demografike të evidentuara në regjistrimin e fundit.

Bazuar në nenin 36, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, numri i anëtarëve të Kuvendit të Komunës përcaktohet në mënyrë proporcionale me numrin e banorëve të komunës. Përjashtim bën Kuvendi i Komunës së Prishtinës, i cili sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, përbëhet nga 51 anëtarë.

Komunat me popullsinë më të madhe dhe numrin përkatës të anëtarëve në Kuvendin Komunal janë:

Prishtina – 227,466 banorë, 51 anëtarë

Prizreni – 147,246 banorë, 41 anëtarë

Ferizaj – 109,255 banorë, 41 anëtarë

Gjilani – 82,980 banorë, 35 anëtarë

Peja – 82,745 banorë, 35 anëtarë

Gjakova – 78,699 banorë, 35 anëtarë

Podujeva – 70,975 banorë, 35 anëtarë

Në anën tjetër, komunat me më pak se 5,000 banorë, si Ranillugu, Zveçani, Kllokoti dhe të tjera të ngjashme, do të kenë nga 15 anëtarë në kuvendet e tyre komunale.

Ndarja e re e ulëseve pritet të ndikojë në mënyrën se si do të shpërndahen mandatet mes partive politike, veçanërisht pas zhvillimit të raundit të balotazhit më 9 nëntor. Rezultatet përfundimtare do të tregojnë balancën e re të forcave politike dhe drejtimin që do të marrin institucionet lokale në mandatin e ardhshëm.

Prishtina me 51 anëtarë, kështu pritet të jetë përbërja e kuvendeve komunale pas zgjedhjeve të 12 tetorit - Insajderi - image 179

Të ngjashme

Të fundit