Partia Socialdemokrate (PSD), ka vendosur sot banera të shumtë në kryeqytet.
Në disa lokacione të ndryshme, PSD vendosi banerë me figurën e kryeministrit Albin Kurti, i cili duket si “Pinokio”, një personazh i njohur i filmave vizatimor që aty njihet për “gënjeshtra”.
Këto banera janë vendosur si thirrje dhe njoftim për mbajtjen e protestës kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Protesta e thirrur nga PSD pritet të mbahet të shtunën, në sheshet kryesore të Prishtinës.
Në lidhje me paraqitjen e Kurtit me një figurë të tillë si “Pinokio” nga PSD është shpjeguar kësisoj.
“Hunda e gjatë e kryeministrit Kurti është rruga e tij e gjatë e mashtrimit e popullizmit edhe e gënjeshtrës së tij në raport me dialogun me Serbinë. I gjithë pushteti i tij sa ishte në opozitë ishte dialogu me Serbinë, kundërshtimi i këtij dialogu, protestat më të mëdha kanë qenë të organizuar nga ai kundër ‘Zajednicës’, çka po ndodh sot është pranim i të gjitha atyre marrëveshjeve që ai i ka kundërshtu dhe pranim i ‘Zajednicës’”, u tha nga PSD.