Prishtina dhe Llapi do të përballen sonte mes vete në derbin e moçëm të futbollit kosovar.
Këtë radhë, të dyja ekipeve iu nevojiten shumë pikët për synimet e tyre.
Bardhekaltrit duan t’i mbajnë pikët në shtëpi për t’i ndjekur pozitat që çojnë në Evropë.
Dhe, duke e pasur parasysh se Gjilani i kaloi ata përkohësisht dhe i zbriti në pozitën e pestë, s’ka asnjë alternativë tjetër pos fitores për kryeqytetasit, të cilët nuk dinë për fitore qe gjashtë ndeshje.
Nga ana tjetër, punët edhe më keq i kanë llapjanët.
Ata e gjejnë veten në pozitën e parafundit në tabelë me 22 pikë, të rrezikuar seriozisht për të rënë nga liga.
Trupa e Tahir Batatinës ka ditur t’ju shkaktojë telashe prishtinasve dhe edhe këtë radhë llapjanët do të vijnë në “Fadil Vokrri” për të nxjerr rezultat pozitiv.
Në të kundërtën, këtij ekipi do t’i përkeqësoheshin edhe më shumë punët për mbijetesë.
Ndeshja mes Prishtinës dhe Llapit do ta mbyllë xhiron e 22-të të Superligës, ndërsa do të nisë prej orës 20:00 sonte. /Express/