KB Trepça doli fituese në gjysmëfinalen e parë që u zhvillua disa orë më herët, kur eliminuan Yllin, ndërsa tani është kuptuar kundërshtari i mitrovicasve në finalen e madhe të 17 shkurtit.
Në këtë përballje u zhvillua lojë më e barabartë se ajo më herët, me Prishtinën që ishte pak më e mirë në disa momente, për ta bërë dallimin në fund.
Çereku i parë i takoi prishtinasve, kur fituan 23:19.
10 minutat e dyta përsëri ishin në të mirë të skuadrës më të trofeshme kosovare, ku sërish fitoi me katër pikë diferencë, për të shkuar në pushim prej tetë pikëve epërsi.
Çereku i tretë ishte më i barabartë, me dy skuadrat që aplikonin mbrojtje më të fortë, për të mos lejuar shumë pikë të shënoheshin, por Prishtina në 10 minutat e fundit hyri me 10 pikë epërsi.
Bashkimi nuk u dorëzua dhe tregoi karakter të fortë në çerekun e fundit, duke qenë bindshëm skuadër më e mirë në parket, me Prishtinën që e kishte problem të shënonte.
Në fund Prishtina fitoi me pesë pikë epërsi, apo rezultat të përgjithshëm 64:69.
Si në çdo fitore të kësaj natyre, më i dalluari ishte Dardan Berisha me 19 pikë të shënuara, teksa shtoi edhe tre rebounds e dy asistime. Ai u ndihmua me 21 pikë të Davis, e 12 të Janjevës.
Në anën tjetër, paraqitje të mirë pati Altin Morina e Umipig me 14 pikë dhe Lejson Zeqiri me 10 sosh.
Prishtina me këtë fitore shkon në finale të Kupës së Kosovës, aty ku e pret Trepça.
Kjo përballje e madhe, një nga derbit kryesor në basketbollin kosovar, zhvillohet në ditën e Pavarësisë, pra më 17 shkurt.