Prishtina ka marrë një fitore të madhe në garën për titullin e Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Afrim Tovërlani e ka mposhtur thellë Llapin e Tahir Batatinës me shifrat prej 4-1.
Në fakt, Prishtina fitoi me rikthim, pasi Llapi ishte i pari që shënoi në minutën e shtatë të takimit.
Ishte Fiton Ademi që shfrytëzoi një huti në mbrojtjen e Prishtinës, për rezultatin prej 1-0.
Megjithatë, Prishtina më pas u vu në aksion, duke shënuar dy gola për dy minuta dhe për të marrë epërsinë në ndeshje.
Fillimisht shënoi Valmir Veliu në minutën e 35-të, e më pas në të 37-ën shënoi Mario Ilievski.
Me rezultatin prej 2-1 u mbyll pjesa e parë, teksa në të dytë, kryeqytetasit shënuan edhe dy herë të tjera.
Sërish, Prishtina shënoi dy gola të shpejtë.
Në minutën e 70-të, Valmir Veliu prapë e gjeti golin, kësaj here për 3-1.
Tre minuta më vonë, Ilievski shënoi për 4-1 dhe për rezultatin final të takimit.
Me këtë fitore, Prishtina shkon në kuotën e 36 pikëve, në vendin e dytë, me pikë të njëjta me Ballkanin, që është i pari, por që e ka një ndeshje më pak.
Ndërkohë, Llapi mbetet i shtati me 22 pikë.






