Prishtina është finalistja e dytë e Kupës së Kosovës për edicionin 2024/25, pasi mposhti bindshëm Dritën me rezultat 3:0 në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales, duke avancuar me rezultat të përgjithshëm 4:0 pas dy përballjeve (1:0 në ndeshjen e parë).
Skuadra kryeqytetase tregoi qysh në fillim vendosmërinë për ta mbyllur punën pa drama. Ardian Muja e hapi serinë e golave që në minutën e 9-të, duke sjellë qetësinë në radhët e Prishtinës. Muja u rikthye në skenë edhe në minutën e 39-të, me një tjetër gol që praktikisht e vulosi fatin e takimit.
Spektaklin e pjesës së parë e përmbylli Albin Krasniqi në minutën e 44-t, me një supergol nga gjuajtja e lirë që elektrizoi stadiumin “Fadil Vokrri” dhe e dërgoi Prishtinën me tri gola epërsi në pushim të ndeshjes.
Pjesa e dytë ishte më shumë formale, me Prishtinën që menaxhoi avantazhin dhe me Dritën që nuk arriti të gjejë kthesën e nevojshme për të ringjallur ndonjë shpresë për finale.
Me këtë fitore, Prishtina kualifikohet për në finalen e madhe ku do të përballet me Llapin, që në anën tjetër eliminoi Drenicën.