FC Prishtina dhe Gjilani kanë shënuar fitore edhe në ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Kupës dhe në këtë mënyrë janë kualifikuar në finalen e madhe.
Prishtina e ka shkatërruar sot Vushtrrinë duke e mposhtur me rezultat 6-0. Kryeqytetasit realizuan tre gola në pjesën e parë nëpërmjet Leotrim Kryeziu (2) dhe Hasn Hysenit (1). Edhe pjesa e dytë ishte dominuese nga vendasit që realizuan edhe tre gola të tjerë. Golashënues ishin Pllana, Pefqeli dhe Jashari nga penalltia. Ndeshjen e parë, Prishtina e kishte fituar me rezultat 2-1 ndaj Vushtrrisë.
Finalen e ka siguruar edhe Gjilani që e fitoi minimalisht ndeshjen kthyese ndaj Llapit (1-0). Golin e vetëm e shënoi Ramadani në minutën e 36-të. Siç dihet gjilanasit kishin triumfuar edhe në ndeshjen e parë dhe me plotë mërit janë në finale të Kupës.
Fituesi i Kupës fiton të drejtën për të marrë pjesë në garat evropiane.