Sheshi “Zahir Pajaziti” të mërkurën u mbush plot me 30 brende vendore dhe të huaja që janë pjesëmarrëse në edicionin e shtatë të Festivalit të Kafesë dhe Çajit.
Si rëndom, qytetarë më së shumti preferojnë produktet e “Prince Caffe”, raporton Klan Kosova.
Nga kjo kompani tregojnë risitë që kanë sjellë për konsumuesit.
“Princi ka hyre me Yes Please që shërben expresso dhe makiato vitin e kaluar. Edhe këtë vit është mbajtur në Prishtinë, por mirë kish me qenë me u mbajt edhe në vendet e tjera të Kosovës”, tha Endrit Verbovci, menaxher “Prince Caffe”.
Qëllimi kryesor, sipas organizatorëve të këtij eventi, nuk është përfitimi financiar.
“Festivali është me karakter argëtues, e jo profitabil. Qëllimi kryesor është që të njoftohen sa më shumë vizitorët për efektet shëndetësore të kafesë dhe çajit”, tha Edona Osmani, Kordinatore për media e festivalit.
Ani se në fillet e veta, festivali ka zgjatur vetëm dy ditë, interesimi i madh i qytetarëve bëri që t’i shtohet edhe një ditë, derisa pretendohet që në të ardhmen të zgjerohet edhe në qytete të tjera.
Ky festival do të zgjasë deri më 29 shtator.