Pas publikimit të “Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë TM2”, ministri Murati më mburrje do të dilte me një shkrim në Facebook ku do të jepte lajmin për regjistrimin e 3 mijë e 86 bizneseve të reja në Kosovë.
Sipas tij, këto biznese tregonin që ekonomia e vendit po shkon drejt zgjerimit përkundër krizave globale.
“Rekord numër i bizneseve të hapura në tremujorin e parë 2023. Ekonomia e vendit po vazhdon zgjerimin përkundër krizave globale. Në tremujorin e parë të vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 3,086 biznese të reja, që paraqet shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë”, – kishe shkruar Murati.
Tre muaj më vonë, konkluzioni i shefit të Financave se “ekonomia e vendit po vazhdon të zgjerohet” rezultoi paska i ngutshëm. Sipas “Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë TM2” publikimit të ASK-së, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, numri i ndërmarrjeve apo bizneseve të regjistruara ka arritur në 2 mijë e 663, duke shënuar një rënie prej 13.7 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
“Në TM2 2023, gjithsej janë regjistruar 2 663 ndërmarrje dhe janë mbyllur 398 të tjera. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2023) ka një rënie prej (-13,7%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërkaq, krahasuar TM2 2023 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2022) ka rënie të ndërmarrjeve të regjistruara për (-6,1%)”, – thuhet në raportin e ASK-së.
Raporti shton se gjatë këtij tremujori u shuan gjithsej 398 ndërmarrje, tregues që përfaqëson një rënie prej 10.76 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e kaluar.
Kur krahasohen të dhënat e tremujorit të dytë të vitit 2023 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, shihet një rënie e ndërmarrjeve të regjistruara për 13.5 pikë përqind.
“Në TM2 2023, gjithsej janë shuar 398 ndërmarrje, ose rënie prej (-10,76%) krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2023). Ndërsa, krahasuar TM2 2023 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2022) ka rënie të ndërmarrjeve të shuara për (-13,5%)”, – thuhet në raport.
Sa i përket aktiviteteve ekonomike më të preferuara gjatë tremujorit të dytë, tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave ka qenë sektori më i preferuar me 668 ndërmarrje të regjistruara.
“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave me 668 ndërmarrje të regjistruara (25,1%)”, – thuhet në raport.
Në një vështrim në strukturën e ndërmarrjeve të regjistruara sipas numrit të punësuarve, shihet një dominim i theksuar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
96 për qind e ndërmarrjeve regjistruara kanë nga 1 deri në 4 punësuar.
“Në TM2 2023, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar ishin gjithsej 2 556 ndërmarrje të regjistruara (96%); me 5 deri 9 të punësuar ishin 68 sosh (2,6%); me 10 deri në 19 të punësuar ishin 24 ndërmarrje të regjistruara (0,9%); dhe me 20 deri 249 të punësuar ishin 15 ndërmarrje të regjistruara (0,6%). Ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka pati asnjë ndërmarrje të re në këtë tremujor”, – thuhet në raport.
Papunësia ende e lartë
Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun punës, e karakterizuar një shkallë të lartë të papunësisë, ekonomia joformale e konsiderueshme dhe pabarazia në politikat dhe praktikat e punës, sipas raportit të fundit të Departamentit të Shtetit për “Klimën e Investimeve 2023”.
Sipas raportit -i bazuar në të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës – gati dy të tretat e popullsisë së vendit bëjnë pjesë në grupin e moshës së punës (15-64 vjeç). Pavarësisht kësaj, Kosova vazhdon të përballet me një shkallë zyrtare shqetësuese të papunësisë prej 20.7 përqind.
Situata është edhe më e rëndë për të rinjtë, me një normë marramendëse të vlerësuar të papunësisë së të rinjve prej 38 përqind, që tregon një sfidë të konsiderueshme në angazhimin e të rinjve në fuqinë punëtore.
“Sipas Agjencisë Statistikore të Kosovës, pothuajse dy të tretat e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Kosovës janë në moshë pune (15-64). Shkalla zyrtare e papunësisë është 20.7 për qind. Papunësia e të rinjve vlerësohet në 38 për qind.” – thuhet në raportin e DASh-it bazuar në shifrat e ASK-së. /Nacionale/