Presidentja Vjosa Osmani dekoron Kombëtaren me Medaljen Presidenciale të Meritave

- Advertisement -

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave, në një ceremoni të mbajtur një ditë pas ndeshjes së “play-off”-it kundër Turqisë (0:1).

Në fjalën e saj, presidentja Osmani theksoi se, pavarësisht rezultatit në këtë përballje, Kombëtarja mbetet një nga përfaqësimet më dinjitoze të shtetit në arenën ndërkombëtare.

“Pavarësisht rezultatit, ju do të mbeteni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë për krenarinë që i keni bërë popullit tonë. Prandaj, në emër të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë. Kontributi juaj është pjesë e pandashme e historisë sonë sportive dhe, mbi të gjitha, frymëzim i fuqishëm për brezat që vijnë. Në bazë të kompetencave të mia kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që Kombëtaren e Republikës në Futboll ta dekoroj me Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacionin: Për përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare; Për krenarinë që i kanë dhënë shtetit tonë; Si dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Dhe jo vetëm me shpresën, por me besimin e plotë që rruga përpara do të jetë edhe shumë e shumë më e ndritshme. Të nderuar përfaqësues të Kombëtares, duke e ditur që shumica e lojtarëve tashmë janë rikthyer në vendet ku punojnë dhe ku luajnë, jam e nderuar që ju kemi sot si përfaqësues nga institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës që ta pranoni këtë dekoratë në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilëve ju keni dhënë emocione dhe krenari pa fund”, tha presidentja Osmani.

Në emër të komunitetit të futbollit, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për zhvillimin e futbollit në vend.

“Kjo është medalja më e çmuar, medalja e shtetit tonë, medalja e popullit tonë. Ne vërtetë nuk shkuam në Kupën Botërore, por fituam një medalje e shtetit tonë, zemrat e shtetit tonë, e cila është për neve shumë e rëndësishme sepse ne jemi të këtij shteti. Ne si federatë dhe si futbollistë jemi shumë të lumtur që kemi pasur një bashkëpunim kaq të mirë dhe kaq të afërt me presidenten tonë, e cila na ka ndihmuar gjithmonë, me dekretet për futbollistët dhe me prezencën e saj çdo herë, edhe kur kemi qenë mirë, edhe kur kemi qenë keq. Prandaj, gjithmonë mirënjohës si federatë, si futboll dhe në emër të gjithë komunitetit të futbollit që jemi mbi 57,700 persona, ju falënderoj shumë dhe ju dëshiroj sukses në rrugëtimin tuaj politik. Gjithashtu besoj që edhe në të ardhmen do të jemi bashkë. Sigurisht, një ditë do të vijë edhe momenti që ne të marrim një medalje të Kampionatit Evropian”, ka thënë Ademi.

Ndërkaq, në emër të Kombëtares së Kosovës, kapiteni Vedat Muriqi u shpreh krenar për përfaqësimin e vendit dhe optimist për të ardhmen e ekipit.

“Fillimisht ju falënderoj për mikpritjen dhe që na nderuat me këtë medalje. Ne e kemi ditë edhe para ndeshjes sa është dëshira e madhe për gjithë popullin dhe gjithë shqiptarët anembanë botës. Edhe të them të drejtën, nuk kemi besuar se do të humbim. As biletën kthyese nuk e kam. Ka qenë një goditje e madhe për neve, edhe pse mendoj se nuk e merituam humbjen. Kemi luftuar shumë dhe kemi bërë çmos që ta bëjmë ëndrrën realitet. Në emër të ekipit, ju falënderoj nga zemra juve si Presidente, shtetin e Kosovës, popullin tonë, mediat dhe federatën. Ne kemi treguar se nëse e vazhdojmë rrugëtimin bashkë, mund ta kalojmë çdo betejë. Kështu që, po shpresojmë në të ardhmen sepse kemi një gjeneratë shumë të mirë, një gjeneratë e artë po vjen, akoma nuk e kemi arritur gjeneratën e artë. Unë jam shumë krenar me veten që jam pjesë e stafit të Kosovës. Si kapiten i Kosovës, kisha pasur shumë dëshirë me e udhëheq ekipin në Amerikë, por ndonjëherë fati nuk të përcjell. Kështu që, ju falënderoj të gjithëve, në emër të ekipit, edhe shpresoj që takimin e radhës ta kemi për një kualifikim në Evropian ose Botëror”, tha Muriqi.

Dekorimi i Kombëtares vjen si vlerësim për arritjet dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe për rrugëtimin e suksesshëm deri në fazën finale të kualifikimeve për Kupën e Botës

Të ngjashme

Të fundit