Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e di nëse VV-ja i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re.
Në një intervistë për DW, e cila duket se është realizuar para caktimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, Osmani ka treguar se si do të veprojë nëse Albin Kurti nuk arrijnë të formojë qeverinë të dielën.
E para e vendit ka bërë me dije se si presidente do t’i ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse dikush nga subjektet politike mund të krijojë shumicën parlamentare.
Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatuari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj, edhe pse e diela është shumë afër, por siç e dini rrjedhat politike në Kosovë nganjëherë janë të paparashikueshme. Pra, brenda orësh mund të ketë marrëveshje”, ka thënë Osmani.
Ajo ka bërë me dije se është ende herët të flitet për zgjedhje të parakohshëm.
Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, është shprehur Osmani.
Kuvendi i Kosovës dje ka njoftuar se seanca e jashtëzakonshme për formimit e Qeverisë së re do të mbahet të dielën duke filluar nga ora 10:00.
Në ftesën që kryeparlamenatri Dimal Basha ua ka dërguar deputetëve tregohet se kjo seancë ka vetëm një pikë të rendit të ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës
Ndonëse seanca është ftuar, ende nuk ka ndonjë konfirmim nga Lëvizja Vetëvendosje nëse i ka siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Në fakt, zyrtarët e lartë të VV-së kanë pranuar se ende nuk i kanë 61 votat e nevojshme për qeverinë Kurti 3.
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e ka pranuar se tani për tani Albin Kurti nuk u ka votat e mjaftueshme për kryeministër.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ajo ka treguar se sa vota aktualisht i ka VV-ja.
Ajo ka treguar se Kurtit i duhet edhe 4-5 deputetët për të formuar qeverinë e re.
“Pritjet janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti joshumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiq, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Për formimin e qeverisë së re, Lëvizjes Vetëvendosje i duhen së paku edhe pesë vota. Si parti fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, VV-ja e Albin Kurtit ka 48 deputetë. VV-ja ka përkrahje edhe nga shtatë deputetë të komuniteteve joserbe, si dhe të deputetit serb Nenad Rashiqit.
Deri me tani, të gjitha partitë shqiptare në Kuvend kanë bërë me dije se nuk kanë votë për qeverinë “Kurti 3”.






