27.5 C
New York
Monday, June 30, 2025

Buy now

Presidentja pritet t’i ftojë në takim liderët e partive politike, kërkon të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

- Advertisement -

Share:

 

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditëve në vijim do t’i ftojë në takim liderët e partive politike.

Kështu ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit për media.

“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend të respektojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mbyllin seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç kërkohet nga Gjykata,” tha Kupina.

Ai ka thënë se presidentja Osmani është e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime të mëtejshme.

Ndryshe, dje dështoi për herën e 39-të konstituimi i Kuvendit.

Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, palët nuk po arrijnë dakordim.

Debatet ishin të ashpra edhe në takimin e së shtunës që Kurti pati me udhëheqësit e partive.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po insiston në votimin e fshehtë.

Ai tha se është i gatshëm sërish për takime, por deklaroi se ka bërë dy compromise.

“Unë gjithmonë jam i gatshëm për takime, për konsultime konstruktive, për bashkëpunim në mirëbesim dhe gjithashtu për konsensus dhe kompromise. Kam ofruar dy kompromise: i pari është ai që t’i delegojnë përfaqësuesit partitë politike dhe me atë rast nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë atë komision me votë, sepse pa votë nuk rrëzohet, me bojkot nuk shkohet përpara… Le ta provojmë votimin e fshehtë: o fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër,” deklaroi Kurti.

Ai shprehu habi për qëndrimin e partive opozitare ndaj votimit të fshehtë, duke rikujtuar se edhe zgjedhjet e 9 shkurtit janë mbajtur përmes një procesi të tillë.

“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë e partive opozitare kundër votimit të fshehtë, kur dihet që më 9 shkurt qytetarët e Kosovës kanë votuar me votë të fshehtë, të lirë e demokratike dhe e kanë bërë VV-në fituese. Ne i kemi 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 – pra PDK plus LDK nuk bëjnë sa VV-ja. Ky është fakt i jetës, fakt demokratik me të cilin duhet të pajtohemi”, tha Kurti.

Në fakt, opozita po e i kundërshton këto propozime, duke thënë se votimi i fshehtë është antikushtetues.

Ajo që filloi si përpjekje për ta paraqitur Vetëvendosjen si palë të gatshme për marrëveshje, përfundoi me një deklaratë që nxori në pah pikërisht të kundërtën. Këtë deklaratë, Kurti e përsëriti edhe sot.

“Tash ne e dimë që partitë opozitare kanë treguar preferenca për emrat e Vetëvendosjes, mirëpo kjo nuk është mënyra qysh ndërtohen shëndetshëm institucionet. Cili është kuptimi që të dalësh subjekti fitues në zgjedhje, nëse në fund, pasi që del subjekti fitues, duhet kundërshtarët e tu humbës ta përzgjedhin se kush duhet të udhëheqë me institucionin më të lartë? – tha Kurti.

Në njërën anë, Kurti i referohet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe thotë:

“Gjykata ka përmendur tre togfjalësha interesantë: bashkëpunim në mirëbesim, konsultim konstruktiv dhe konsensus apo kompromis.”

Ai më tej pretendon se:

“Ne e bëmë edhe konsultimin konstruktiv. E bëmë edhe bashkëpunimin në mirëbesim… dhe kemi ofruar kompromis.”

Por pastaj, në deklaratën e mësipërme, Kurti e përjashton çfarëdo kompromisi real për burimin e problemit duke thënë:

“Cili është kuptimi që të dalësh subjekti fitues në zgjedhje, nëse në fund… duhet kundërshtarët e tu humbës ta përzgjedhin se kush duhet të udhëheqë me institucionin më të lartë?”

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e lexoi krejt këtë manovër të Kurtit si ‘aktrim për të përmbushur’ obligimin.

“Takimi i ftuar nga Kurti për të aktruar mbushjen e një obligimi që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia jep për konsultime në mirëbesim dhe përgjegjësinë për të gjetur kompromis, rezultoi i pasuksesshëm sepse situata s’është e njëjtë, por Kurti është i njëjtë”, ka thënë ai.

Krasniqi gjithashtu shprehu shqetësimin e tij lidhur me mënyrën se si Kurti e kishte interpretuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në takimin e sotëm mes liderëve politikë.

Sipas tij, Kurti se “s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë”.

“Është shqetësues fakti që Kurti me aq sa e pash në takim kishte interpretim të çuditshëm të aktgjykimit. Ai mendonte se s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë dhe as në mënyrën se si janë mbajtur seancat”, ka thënë Krasniqi.

Gjykata Kushtetuese e ka qartësuar se “votimi i fshehtë”, forma që Lëvizja Vetëvendosje pretendonte se mund t’i obligoj deputetët ta zgjedhin Kryetarin e Kuvendit, në fakt sipas Kushtetutës së Kosovës nuk është e mundur.

Sipas vendimit të Gjykatës, mandati i deputetit është i lirë dhe asnjëherë nuk mund të kushtëzohet apo detyrohet kushtetutshmërisht që të votojë në një mënyrë të caktuar. Për më tepër, Kushtetuta e Kosovës parashikon qartë raste të veçanta ku kërkohet votimi i fshehtë, si për shembull zgjedhja e Presidentit të Republikës.

Në të njëjtën linjë kritikash u shpreh edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e cilësoi takimin si një farsë politike, duke nënvizuar se Kurti nuk tregoi as vullnet për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, as angazhim për ndërtimin e një shumice funksionale në Kuvend.

“Takimi ishte më tepër farsë publike se substancial pasi qëndrimet e deputetit Kurti ishin pak a shumë të njëjta, as nuk e respektonin, as nuk e interpretonin njëjtë vendimin e Kushtetueses – as për votimin e fshehtë, as për shumicën. Për LDK-në është evidente se përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit. Kurti e pranoi që nuk ka shumicë, por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake”, tha Abdixhiku.

Të ngjashme

Të fundit