Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian në këtë proces. Tani që Kuvendi është konstituuar, Presidentja shprehi pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit.
Presidentja Osmani theksoi se reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit tonë ndaj integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE.
Në takim, Presidentja Osmani po ashtu theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024.
Duke folur për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore. Ajo ritheksoi përkushtimin e popullit të Kosovës, popullit më pro-evropian në botë, për të ardhmen evropiane të vendit tonë.
Përveç kësaj, Presidentja ngriti gjithashtu çështjen e rritjes së bashkëpunimit me BE-në për të mbështetur sektorin e shëndetësisë në Kosovë, si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, një ushtrim i rëndësishëm demokratik që edhe një herë dëshmoi profesionalizmin e institucioneve tona dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, janë veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.