Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, me të cilin diskutoi zhvillimet politike në vend, dialogun me Serbinë dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e stabilitetit politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe nevojën konstituimit të institucioneve sa më parë, me qëllim të vazhdimit të reformave kyçe për integrimin evropian të vendit.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura.
Në takim me z. Sørensen, Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës.
Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marreveshjes së shkurtit 2023.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe theksoi se, në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë.
Ajo ritheksoi gjithashtu nevojën për heqjen e masave të padrejta të vendosura nga BE-ja, në qershor 2023, duke theksuar ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim si dhe dëmtimin e vet procesit të dialogut duke e bërë atë të pabalansuar.
“Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, theksoi ajo.
Gjatë takimit u diskutua roli i NATO-s, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, krahas institucioneve të Kosovës, sikurse edhe roli i EULEX-it, në kontekstin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit