19.2 C
New York
Sunday, April 20, 2025

Buy now

Presidentja Osmani nuk e komenton dështimin e konstituimit të Kuvendit

- Advertisement -

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka refuzuar të komentojë dështimin e dy seancave konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Pas homazheve në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në ‘Velani’, Osmani u pyet lidhur me ndërprerjet e seancave, por e njëjta tha se në ngjarje si këto – ku nderohen dëshmorët – nuk mund të flitet për çështje politike.

“Ju e dini që e kemi një praktikë që çdo herë kur i përkujtojmë dëshmorët dhe martirët për shkak të nderimit ndaj tyre, nuk përziejmë tema politike me këtë nderim”, tha Osmani.

Tentimi i parë për konstituimin e Kuvendit ishte më 15 prill por PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë insistojnë që anëtarët e qeverisë në detyrë të japin dorëheqje formale para se të betohen si deputetë.

Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kjo nuk është e nevojshme meqë sipas tij, qeveria është në detyrë që prej marsit – periudhës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas Ligjit për Qeverinë, nëse një anëtar i ekzekutivit zgjidhet deputet i Kuvendit, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Sipas rregullores së Kuvendit, deputetët duhet të mblidhen çdo 48 orë.

Të enjten më 17 prill, deputetët e zgjedhur dështuan për herë të dytë të konstituojnë organin legjislativ.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së ftoi për konsultë partitë politike dhe më pas e ndërpreu seancën duke thënë se “nuk pati konsensus” se si të vazhdohet tutje.

PDK, LDK dhe AAK kritikuan Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin e seancës, që sipas tyre po bëhet për “pazare politike”.

Betimi i deputetëve do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit dhe më pas qeverisë së re.

Deri më tash, LVV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë.

Të ngjashme

Të fundit