Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, është përballur me një incident të pazakontë teksa takonte njerëzit në rrugë.
Ajo deklaroi të mërkurën se ngacmimi që pësoi nga një burrë i dehur në rrugë, pranë selisë së qeverisë, ishte një sulm ndaj të gjitha grave dhe pikërisht për këtë arsye ajo vendosi të ngrejë padi kundër tij.
Kryetarja e Bashkisë së Mexico City, Clara Brugada, njoftoi gjatë natës se autori ishte arrestuar.
Në një video që qarkullon gjerësisht në rrjete sociale, burri shihet teksa përpiqet ta puthë dhe e prek me duar presidenten gjatë një ecjeje të martën.
Sheinbaum shihet duke e shtyrë me qetësi, ndërsa ruan një buzëqeshje të ngrirë dhe i drejtohet me fjalët: “Mos u shqetëso”.
Të mërkurën, Sheinbaum theksoi se nuk ishte hera e parë që përballej me ngacmime të tilla dhe se problemi ishte shumë më i gjerë.
“Asnjë burrë nuk ka të drejtë të shkelë atë hapësirë”, tha ajo në një video të publikuar nga qeveria meksikane, duke bërë me dije se kishte dorëzuar kallëzim penal.
“Vendosa të ngre padi sepse kjo është diçka që e kam përjetuar si grua, por që të gjitha ne, gratë në Meksikë, e përjetojmë”, shtoi ajo, duke kujtuar se kishte përjetuar raste të ngjashme edhe gjatë kohës që ishte studente.
Ngjarja ka ngritur edhe pikëpyetje mbi sigurinë e saj. Sheinbaum shpjegoi se ajo dhe ekipi i saj kishin vendosur të ecnin nga Pallati Kombëtar drejt Ministrisë së Arsimit për të kursyer kohë, një rrugë që përshkohet për pesë minuta në këmbë, në vend të 20 minutave me makinë. Ajo tha se nuk ka ndërmend të ndryshojë mënyrën si vepron.
Në shenjë solidariteti, kryebashkiakja Brugada përdori të njëjtën gjuhë që Sheinbaum kishte përdorur pas zgjedhjes si presidentja e parë grua e Meksikës.
“Nëse prekin presidenten, na prekin të gjithave”, shkroi ajo në një deklaratë.
Edhe Konferenca Kombëtare e Guvernatorëve të Meksikës (CONAGO) shprehu mbështetjen për presidenten.





