Presidentja Vjosa Osmani do ta theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si dhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-së gjatë bisedimeve të ardhshme me partitë politike, tha për Radion Evropa e Lirë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, pasi shoqëria civile në vend i bëri thirrja asaj t’i bashkojë partitë për ta miratuar buxhetin e ri.“Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, tha Kupina të martën.
Ai shtoi se Osmani “do t’i inkurajojë” partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës.Osmani pritet t’i thërrasë për konsultime partitë politike së shpejti, pasi të dielën, mandatari i parë për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, dështoi t’i fitojë votat e nevojshme për një mandat të tretë.
Kosova e bëri Kuvendin e ri muaj më parë, por dështimi javën e kaluar për ta formuar një qeveri të re, ka rritur rrezikun që vendi të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.Në një letër drejtuar Osmanit, 21 organizata të shoqërisë civile thanë se mungesa e buxhetit të ri do të paralizonte pagesat për pagat e mësimdhënësve, mjekëve, administratës publike, për transferet sociale të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës, realizimin e punëve publike, dhe më shumë.
“E ardhmja financiare e vendit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i bllokadave politike. Ne besojmë se përvoja, autoriteti dhe roli juaj unifikues si presidente mund të jenë përcaktues për të shmangur një krizë që do të prekte shumë familje në Kosovë”, thuhet në letër.Këto organizata i propozuan presidentes, siç thanë, disa “rrugë të mundshme ligjore dhe të zbatueshme”.
Ato kërkojnë që Qeveria në detyrë ta dorëzojë në Kuvend projektligjin e buxhetit për vitin 2026, apo Kuvendi i tanishëm të paktën ta votojë një zgjatje të buxhetit të tanishëm deri në fund të muajit mars 2026.Ato gjithashtu kërkojnë ratifikimin e Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, Marrëveshjes së Facilitetit, dhe Marrëveshjes së Huas.
Por, a mund një Qeveri në detyrë të bëjë buxhet të ri?
Shumë ekspertë ligjorë vlerësojnë se Qeveria në detyrë nuk mund dhe nuk ka kompetenca për të propozuar buxhet për miratim në Kuvendin e ri të vendit.Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të hënën, eksperti i financave, Haki Shatri, tha se vetëm një qeveri me kompetenca të plota mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit për buxhetin, apo për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajt e parë të 2026-tës.
“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë”, tha ai.Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave shtoi se pa një qeveri të re, në janar s’do të ketë para as për ushtrinë e Policinë.
Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus shkroi të martën në Facebook se Qeveria në detyrë – e zgjedhur nga legjislatura paraprake – nuk mund të propozojë projektligjin për buxhetin vjetor për legjislaturën e re.“Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e re, nuk mund të miratojë ligje pa pasur qeverinë e vet që t’i zbatojë. Rregullorja e Kuvendit parashikon që projektbuxheti të shqyrtohet nëpër komisione parlamentare – komisione që ende nuk janë themeluar”, shkroi ai.






