Nasser Al-Khelaifi i ka dhënë disa deklarata mjaft interesante në një intervistë dhënë për BBC-në.
Presidenti i Paris Saint-Germainit është kthyer të flasë për temën e Superligës Evropiane, e cila ishte ide e klubeve më të mëdha evropiane, shkruan “Gazeta Express”.
“Flitet për tri klube, e dinë se nuk kanë kurrfarë mundësie. Për momentin ka gjëra më të rëndësishme për të cilat duhet të mendohet: njerëzit që po vdesin në Ukrainë dhe nuk kanë vend se ku të flenë. E ne të luftojmë për Superligë? Kam mundur ta pranoja ofertën prej 400 milionë eurosh. Më kanë ftuar, e më pas, kur i kam refuzuar, kanë thënë se nuk ishte e vërtetë”, deklaroi Al-Khelaifi.
“Kjo i përmbledh të gjitha. Nëse do të mendoja për vetveten, do ta pranoja, duke e konsideruar pandeminë. Por, çka t’i themi ekosistemit, tifozëve dhe vlerave që i përfaqësojmë?”, vazhdoi ai.
Al-Khelaifi më pas zbuloi që ka biseduar edhe me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez para përballjeve në mes tyre në Ligën e Kampionëve.
“Më ka thënë se duhet ta gjejmë një pikë të takimit, për të biseduar. Kam qenë mjaft i ashpër me të: i kam thënë se isha i lumtur që do të mund të dialogonim, por jo që të bëhen gjëra prapa krahëve të mi. Të gjithë duan të luajnë ndeshje të mëdha, edhe unë, sepse e di se çka do publiku. Por, nuk duhen të përjashtohen dhe të lihen anash klubet e vogla. Duhet të jetë një sistem i hapur, nën një ombrellë të një organi qeverisës, ku të gjithë do të jenë të përfaqësuar”, përfundoi presidenti i PSG-së.