Sipas Dudës, ai dhe Kellogg diskutuan incidentet e fundit të lidhura me luftën hibride ruse, si dhe shqetësimet për të ardhmen e angazhimit amerikan për mbrojtjen europiane.

“Nuk ka absolutisht asnjë synim amerikan për të reduktuar aktivitetin në pjesën tonë të Europës, veçanërisht në aspektin e sigurisë, ose për të ulur numrin e trupave amerikane”, tha Duda, shkruan Euroactiv, transmeton Gazeta Express.

“Nuk ka asnjë shenjë se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të tërhiqen nga Europa. (…) Dy vjet më parë, ne e kuptuam plotësisht saktë se forcimi i marrëdhënieve midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara duhet të jetë një prioritet i Presidencës polake të Këshillit të BE-së”, shtoi ai.

Varshava ka presidencën e radhës të Këshillit të BE-së që nga janari dhe do të vazhdojë deri në fund të qershorit.

Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka këmbëngulur që anëtarët europianë të NATO-s të ndajnë të paktën 5% të GDP-së së tyre për mbrojtjen – një objektiv që Polonia është afër përmbushjes, me plane për të shpenzuar 4.7% në 2025.

Nuk ka arsye për ankth

Keith Kellogg arriti në Varshavë vetëm disa ditë pas vizitës së Sekretarit të Mbrojtjes të sapoemëruar të SHBA-së Pete Hegseth dhe në të njëjtën ditë që negociatat SHBA-Rusi u zhvilluan në Riad, të udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Një ditë më parë, liderët europianë ishin mbledhur në Paris për të diskutuar mbi bisedimet e Uashingtonit me Moskën, si dhe mundësinë e një misioni paqeruajtës në Ukrainë pasi të arrihet një armëpushim. Midis të ftuarve ishte edhe kryeministri polak Donald Tusk.

Megjithatë, Europa nuk ishte e ftuar në diskutimet në Arabinë Saudite. Sipas presidentit polak Andrzej Duda, kjo nuk duhet të jetë shkak për shqetësim të tepruar, pasi ai beson se presidenti amerikan Donald Trump është i aftë ta trajtojë situatën në mënyrë efektive.

“Dua të qetësoj bashkatdhetarët e mi sepse shoh një ankth të madh në sferën publike. Mund të ndodhë që liderët e disa vendeve europiane janë plot me shqetësime për të ardhmen dhe interesat e tyre”, tha Duda për mediat pas takimit të tij me Kellogg.

“Më lejoni ta them kështu: Amerika ka hyrë shumë fuqishëm në lojë kur bëhet fjalë për përfundimin e luftës në Ukrainë. Unë e njoh Presidentin Donald Trump dhe e di se kur ai ndërmerr veprime, ai e bën këtë në një mënyrë shumë të vendosur dhe vendimtare”, shtoi ai.