Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas thotë se Barcelona nuk do të jetë në gjendje të transferojë lojtarë në afatin e ardhshëm veror.
Skuadra spanjolle shpenzoi verën e kaluar mbi 150 milionë euro duke nënshkruar me yje si Robert Lewandowski, Raphinha, Jules Kounde derisa Andreas Christensen, Franck Kessie, Hector Bellerin dhe Marcos Alonso arritën si agjentë të lirë.
Barcelona ishte në presion të vazhdueshëm gjatë verës së kaluar edhe pse menaxhuan të shesin futbollistë si Philippe Coutinho, Pierre-Emerick Aubameyang derisa Memphis Depay iu bashkua Atletico Madridit në afatin dimëror.
Sipas Tebas, Barcelona vazhdon në pozitë të dobët financiare dhe klubi nuk mund të regjistrojë lojtarë të rinj nëse nuk shiten disa prej momentalëve.
“Barcelona ka qenë e përfshirë në sjellje të diskutueshme e cila ka pasur ndikim në La Liga dhe ne po veprojmë në përputhje me rrethanat”.
“Ne kemi vendosur që ata nuk mund të nënshkruajnë më lojtarë. Ata shitën 700 milionë euro të drejta televizive dhe u përpoqën të gjenin mënyra të ndryshme për të zgjidhur situatën, por nuk do të mund ta bëjnë këtë sezonin e ardhshëm”.
“Ne kemi kontrolle të rrepta ekonomike. Në fund të çdo dritareje, ne u tregojmë të gjitha klubeve në La Liga se çfarë mund të shpenzojnë”.
“Në rastin e Barcelonës, ata duhet të zbresin nga shpenzimet për paga dhe transferime nga 650 milionë në 450 milionë euro – pra është një buxhet prej minus 200 milionë euro”.
“Ata duhet të zvogëlojnë investimet e tyre në lojtarë dhe ne i kemi inkurajuar ata të shesin lojtarë sepse për çdo shumë që ata mbledhin në shitje ata mund të shpenzojnë 40 për qind të kësaj”, tha ai.