Policia e Koresë së Jugut është duke e hetuar presidentin e vendit, Yoon Suk Yeol, nën dyshimin për kryengritje për shkak të shpalljes së gjendjes ushtarake, tha të enjten një oficer i lartë policor.
Thuhet se hetimi vjen pas paraqitjes së një ankese nga opozita kundër presidentit dhe figurave të tjera kyçe të përfshira në ngjarjet e së martës mbrëma, raporton televizioni BBC.
Kryengritja është krim që del përtej imunitetit presidencial dhe mund të dënohet me vdekje.
Woo Jong-soo, drejtor i Selisë Qendrore Kombëtare të Hetimeve në Agjencinë Kombëtare Policore u tha deputetëve se “rasti është caktuar”, sipas agjencisë së lajmeve, AFP.
Ndërkohë, policia ka dhënë udhëzim që t’i lëshohet ndalim urgjent për udhëtime ish-ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Kim Yong-hyun, dorëheqja e të cilit u pranua të enjten në mëngjes nga presidenti.
Një oficer i lartë policor tha në një takim të enjten se ai e kishte udhëzuar shefin e sigurisë që të “vendoste ndalim urgjent të udhëtimeve” ndaj Kimit dhe të rishikonte çfarëdo mase tjetër që nevojitet të merret.