Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka deklaruar se garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat po diskutohen nga e ashtuquajtura “koalicioni i të gatshmëve”, do t’i detyronin vendet evropiane që t’i nënshkruajnë ato të luftonin Rusinë nëse Moska do të ndërmerrte përsëri veprime ushtarake kundër Ukrainës në të ardhmen.
“Garancitë e sigurisë, në thelb, janë një parandalim. Ky parandalim duhet të jetë i besueshëm, dhe që të jetë i besueshëm duhet të jetë i fuqishëm,” tha Stubb për The Guardian, në një intervistë në Helsinki para udhëtimit për në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ai theksoi se këto garanci do të hynin në fuqi vetëm pas një marrëveshjeje të ardhshme mes Ukrainës dhe Rusisë, por insistoi se Rusia nuk do të kishte asnjë veto mbi formatin e tyre.
“Rusia nuk ka absolutisht asnjë fjalë në vendimet sovrane të një shteti të pavarur … Për mua nuk është çështje nëse Rusia pajtohet apo jo. Sigurisht që nuk do të pajtohet, por ky nuk është thelbi,” tha ai.
Pas takimit në Paris muajin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron, u tha gazetarëve se 26 vende ishin zotuar të bëhen pjesë e një “forcë sigurie” në Ukrainë, me disa prej tyre që do të angazhoheshin të jenë të pranishëm “në tokë, në det ose në ajër”.
Megjithatë, pyetja e madhe që ngrihet në Kiev është nëse këto marrëveshje do të shoqërohen me zotime konkrete. Kur u pyet nëse garancitë do të nënkuptonin që vendet evropiane do të ishin të gatshme të përfshiheshin ushtarakisht me Rusinë në rast të një agresioni të ardhshëm kundër Ukrainës, Stubb tha: “Ky është vetë kuptimi i garancive të sigurisë sipas përkufizimit.”