Numri një i futbollit në botë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino sot vjen në Kosovë.
Ai do të dekorohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani
Kjo është hera e dytë që Infantino pritet nga krerët e shtetit dhe Federata e Futbollit e Kosovës.
“Vizita e Presidentit Infantino është dëshmi e qartë e mbështetjes që FIFA i kushton Kosovës dhe Federatës sonë. Kosova gëzon respekt dhe simpati të madhe tek Presidenti Infantino, edhe për faktin që në Kongresin e tij të parë si President, në vitin 2016, FFK u pranua si anëtarja më e re e FIFA-s, një moment ky historik për vendin tonë por i veçantë edhe për z. Infantino”, ka shkruar me këtë rast presidenti Ademi.
Postimi i plotë:
Sot është një ditë e veçantë për futbollin dhe për vendin tonë. Kemi nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim në Kosovë për herë të dytë mikun tonë të madh, liderin që i ka dhënë dimension të ri zhvillimit të futbollit global, Shkëlqesinë e Tij, Gianni Infantino.
Vizita e Presidentit Infantino është dëshmi e qartë e mbështetjes që FIFA i kushton Kosovës dhe Federatës sonë. Kosova gëzon respekt dhe simpati të madhe tek Presidenti Infantino, edhe për faktin që në Kongresin e tij të parë si President, në vitin 2016, FFK u pranua si anëtarja më e re e FIFA-s, një moment ky historik për vendin tonë por i veçantë edhe për z. Infantino.
Që nga atëherë, futbolli ynë ka përjetuar një zhvillim të jashtëzakonshëm. Falë përkushtimit të institucioneve, donatorëve, klubeve, trajnerëve, lojtarëve dhe mbështetjes së FIFA-s dhe UEFA-s, Kosova ka marrë vendin që meriton në arenën ndërkombëtare.
Programi “FIFA Forward” ka ofruar mbështetje të madhe për FFK-në, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të femrave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale.
Vizita e tij e dytë dhe dekorimi nga Presidentja Vjosa Osmani nuk është vetëm një simbol nderimi, por edhe frymëzim për gjeneratat e reja. Kjo na kujton se përmes sportit mund të bashkojmë njerëz, të ndërtojmë ura miqësie dhe të promovojmë respektin dhe barazinë.
Kosova është një vend i ri, por me zemër të madhe sportive. Djemtë dhe vajzat tona ëndërrojnë të luajnë në skenat më të mëdha të futbollit botëror dhe me mbështetjen e FIFA-s dhe Presidentit Infantino, këto ëndrra shpresojmë të shndërrohen së shpejti në realitet.
Në emër të gjithë komunitetit të futbollit kosovar dhe qytetarëve tanë, i shpreh mirënjohjen më të sinqertë Presidentit Infantino për besimin dhe përkrahjen që i jep Kosovës.
Si President i FFK-së e siguroj se do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe transparencë për zhvillimin e futbollit në çdo nivel, duke ndjekur parimet dhe vlerat që përfaqëson FIFA.
Mirë se vjen sërish në Kosovë, President Infantino!
Kosova është shtëpia juaj!
Me respekt e mirënjohje,
Agim Ademi, president i FFK-së