Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka reaguar pas eliminimit të Kosovës në finalen e “play-off”-it për Kupën e Botës kundër Turqisë.
Ademi ka thënë se sonte fati nuk ishte në anën e Kosovës.
Pavarësisht humbjes, Ademi është shprehur i bindur se “Gladiatorët dardanë do të rikthehen më të fortë, me më shumë vendosmëri dhe me të njëjtin shpirt luftarak që na ka sjellë deri këtu”.
Postimi i plotë i Agim Ademit në Facebook:
Gjithmonë krenarë me Gladiatorët tanë dardanë
Jo çdo mbrëmje sjell rezultatin që e dëshirojmë, por çdo sfidë na bën më të fortë.
Sonte, djemtë tanë dhanë maksimumin në fushë, me krenari dhe përkushtim për fanellën që përfaqëson një popull të tërë.
Fati nuk ishte në anën tonë dhe, ndonëse nuk e merituam një rezultat të tillë, duhet të pranojmë se edhe humbjet janë pjesë e këtij rrugëtimi. Megjithatë, ato nuk e zbehin as punën dhe as besimin tonë në këtë ekip.
Jam i bindur se Gladiatorët dardanë do të rikthehen më të fortë, me më shumë vendosmëri dhe me të njëjtin shpirt luftarak që na ka sjellë deri këtu.
Faleminderit tifozëve “Dardanët”, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vëllezërve tanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, por edhe bashkëatdhetarëve tanë kudo që jetojnë e veprojnë, për mbështetjen e pandalur.
Kjo humbje dhemb, por qëndrojmë me kokën lart për gjithçka që kemi arritur.
E ardhmja do të na sjellë shumë gëzime të tjera.
Bashkë vazhdojmë përpara!






