Në një intervistë për emisionin “Opinion” në TV Klan, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për sfidën e tetorit kundër Serbisë dhe për të ardhmen e Kombëtares.
Duka ka sqaruar se vendimi për vendin e zhvillimit të ndeshjes do të merret nga FIFA. Fillimisht, Serbia kishte caktuar stadiumin e Crvena Zvezdës në Beograd, por faktorët politikë dhe pasojat nga ndeshja me Anglinë e detyruan Federatën serbe të ndryshonte vendin e takimit. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Leskovacit, që ka 8 mijë vende dhe do të ofrojë një kontroll më të mirë organizativ.
Duka theksoi se, për shkak të raporteve të tensionuara, nuk do të ketë tifozë serbë në Shqipëri dhe as tifozë shqiptarë në Serbi. Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë për në Leskovac më 10 tetor, për të vazhduar me ndeshjen miqësore kundër Jordanisë më pas.
Presidenti i FSHF-së ka folur edhe për formën e ekipit, duke theksuar se është ende herët për të nxjerrë konkluzione për futbollistët, pasi ndeshja me Gjibraltarin ishte një miqësore. Sa i përket trajnerit Sylvinho, Duka ka lënë të hapur mundësinë e një ndryshimi nëse Shqipëria nuk arrin të kualifikohet për Botërorin 2026.
Për ndeshjen miqësore me Jordaninë, Duka shpjegoi se ekipet europiane ishin të zëna dhe për këtë arsye u zgjodh një kundërshtar jashtë Europës, që është gjithashtu një kundërshtar i denjë.
Kjo ndeshje me Serbinë pritet të ketë rëndësi të madhe për klasifikimin në Botërorin 2026, duke e bërë të domosdoshëm çdo rezultat të mirë nga Kombëtarja shqiptare.