Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për rrezikun që paraqet projekti “Bota Serbe”, duke e cilësuar atë si një “emërtim të ri të projektit ‘Serbia e Madhe’”. Ai ka kërkuar që institucionet evropiane të angazhohen më seriozisht për ta trajtuar këtë çështje, duke theksuar ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
“Siç e dini, Ballkani Perëndimor është një pikë kritike për sigurinë dhe gjithë vëmendja e Bashkimit Evropian është e përqendruar atje. Mendoj se ka ardhur koha që të gjitha institucionet evropiane të angazhohen më seriozisht me këtë çështje. Ai është jashtëzakonisht i ndjeshëm edhe për ne,” deklaroi Radev në një prononcim për agjencinë bullgare BGNES.
Sipas tij, “Bota Serbe është emërtimi i ri i projektit ‘Serbia e Madhe’, që synon të ushtrojë kontroll mbi shtetet fqinje, përfshirë përpjekjet për bashkimin me Serbinë të territoreve nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.”
Radev shtoi se instrumenti kryesor për realizimin e këtij projekti është Kisha Ortodokse Serbe, e cila, sipas tij, po shërben si mjet ndikimi dhe presioni në rajon. Ai kërkoi që Bashkimi Evropian të mos e injorojë këtë zhvillim dhe të ndërmarrë masa për të parandaluar çdo përpjekje destabilizuese në Ballkan.






