Së fundmi Shtëpia e Bardhë në SHBA ka bërë publike një listë me anëtarët për “Komitetin e Presidentit për Artet dhe Shkencat Humane”, pjesë e të cilës janë një sërë artistësh, po ashtu profesionistë të muzeut e historisë, akademikë dhe filantropistë të njohur, të cilët formojnë bordin këshillues për Presidentin Joe Biden, sigurisht sa i takon çështjeve të kulturës.
Bordi do të bashkëkryesohet nga Bruce Cohen, një producent fitues i çmimeve Oscar, dhe ylli i pop-it, fituesja e çmimit Grammy Lady Gaga. Kështu, artistja, emri i vërtetë i së cilës është Stefani Germanotta, vec karrierës në muzikë që duhet t’i rikthehet se po bën kohë pa këngë të reja dhe aktrimit, me rolin e fundit që është ai i Harley Quinn, do të ketë edhe pozicionin e rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë emrat e tjerë në komitetin pranë Biden janë muzikanti Jon Batiste, i cili performoi në darkën shtetërore të Shtëpisë së Bardhë për nder të presidentit francez Emmanuel Macron në dhjetor, producentja Shonda Rhimes, fituesi i çmimit Grammy Joe Walsh dhe aktorët George Clooney, Jennifer Garner, Troy Kotsur dhe Kerri Uashington. Një listë vërtetë e mirë me artistë të “kategorisë A”.
Reagimet për emërimin e Gaga-s në krye të komitetit dhe përfshirjen e emrave si Clooney, kanë qenë pozitive nga fansat e tyre, të cilët i kanë përgëzuar në rrjetet sociale për emërimet. I nisur në vitin 1982 nga Presidenti Ronald Reagan, ky komitet i cili punon për të mbështetur programet e artit dhe kulturës në mbarë vendin ka hasur në kritika nga ish-presidenti Donald Trump, por vazhdon të luajë rolin e tij në qeverinë e Biden.