Presidenti shqiptar, Bajram Begaj dhe Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Arben Kingji, bënë një vizitë zyrtare në anijen ushtarake të Marinës së Mbretërisë së Bashkuar, RFA “Argus”, e cila është stacionuar në ujërat pranë bregdetit të Durrësit.
Kjo vizitë vjen si një shenjë e bashkëpunimit të fortë dhe miqësisë së ngushtë mes dy vendeve aleate të NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.
Presidenti Begaj, bashkë me gjeneralin Kingji dhe ambasadorin britanik Alastair King-Smith, arritën në bordin e anijes me një helikopter, për të biseduar me komandantin dhe ekuipazhin e RFA “Argus”.
Në bisedat e tyre, Presidenti Begaj shprehu falënderimin për praninë e anijes në rajon, e cila shihet si një mbështetje e rëndësishme në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, duke pasur parasysh sfidat aktuale, si agresioni rus në Ukrainë.