Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar vitin 2025 si një nga më të rëndësishmit në historinë e futbollit kosovar, duke theksuar arritjet sportive, institucionale dhe ndërkombëtare të këtij viti, shkruan Scanner.
Në një mesazh drejtuar komunitetit të futbollit dhe qytetarëve, Ademi tha se gjatë vitit 2025 FFK ka shënuar përparime të mëdha në zhvillimin e infrastrukturës sportive, digjitalizimin e sistemeve, edukimin e kuadrove profesionale dhe forcimin e projekteve zhvillimore në të gjitha nivelet.
Ai theksoi se investimet në fusha futbolli, kampet nacionale, projektet shkollore dhe sigurinë shëndetësore të lojtarëve kanë krijuar baza të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit të Kosovës.
Në planin ndërkombëtar, Ademi vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me FIFA-n dhe UEFA-n, organizimin e ngjarjeve të rëndësishme në Prishtinë, si dhe përfshirjen e përfaqësuesve të Kosovës në strukturat e larta vendimmarrëse, duke theksuar se këto janë dëshmi e respektit dhe besimit të fituar nga futbolli kosovar.
Sa i përket aspektit sportiv, Ademi e cilësoi vitin 2025 si historik për Kombëtaren e Kosovës, e cila u ngjit në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe siguroi për herë të parë ‘play-off’-in për Kupën e Botës 2026, duke shënuar gjithashtu ngritje të ndjeshme në ranglistën e FIFA-s.
Ai përmendi edhe sukseset e klubeve kosovare, përfshirë FC Dritën, e cila për herë të parë arriti ‘play-off’-in për 1/8 e finales në Ligën e Konferencës, si dhe FC Prishtina 01, që u kualifikua në 1/16 e finales së Ligës së Kampionëve në futsall.
Në fund, Ademi falënderoi klubet, futbollistët, trajnerët, gjyqtarët, stafin profesional dhe partnerët për kontributin e tyre, duke shprehur besim se viti 2026 do të sjellë sfida dhe projekte të reja, me synimin e madh që Kosova të jetë për herë të parë pjesë e Kupës së Botës.
Urimi i plotë:
Të dashur futbollistë/e, trajnerë/e, drejtues klubesh, tifozë, partnerë, komunitet i futbollit, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarë,
Në prag të ndërrimit të motmoteve, është momenti i duhur për të reflektuar me krenari mbi arritjet dhe punën e bërë gjatë këtij viti.
Viti 2025 do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit të Kosovës. Ishte një vit pune intensive, vendimesh strategjike dhe arritjesh konkrete që e konfirmuan qartë drejtimin e duhur në të cilin po ecën Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbolli ynë në përgjithësi.
Gjatë këtij viti, FFK ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e infrastrukturës sportive, në digjitalizimin e sistemeve, në edukimin e kuadrove profesionale dhe në forcimin e projekteve zhvillimore në të gjitha nivelet.
Investimet në fusha futbolli, në kampet nacionale, në projektet shkollore dhe në sigurinë shëndetësore të lojtarëve kanë krijuar baza të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit kosovar.
Në planin ndërkombëtar ky vit e forcoi dukshëm pozitën e Kosovës në familjen evropiane dhe botërore të futbollit. Vizitat dhe bashkëpunimet me FIFA-n dhe UEFA-n, organizimi i ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare në Prishtinë dhe përfshirja e përfaqësuesve tanë në strukturat e larta vendimmarrëse dëshmojnë për respektin dhe besimin që futbolli kosovar tashmë e ka fituar.
Ky vit ishte historik edhe në aspektin sportiv. Kombëtarja e Kosovës shënoi rezultate që na bënë krenarë të gjithëve, fillimisht duke u ngjitur në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe më pas duke siguruar për herë të parë ‘play-off’-in për Kupën e Botës 2026. Këto suksese, së bashku me ngritjen po ashtu historike në ranglistën e FIFA-s, janë dëshmi e punës së përbashkët, vizionit të qartë dhe besimit në potencialin e futbollistëve tanë.
Suksesi i FC Drita në Ligën e Konferencës, ku për herë të parë një klub kosovar arrin në ‘play-off’ për 1/8 e finales, si dhe arritja e FC Prishtina 01 në 1/16 e finales së Ligës së Kampionëve në futsall, e konfirmuan rritjen e cilësisë së futbollit vendor.
Të gjitha këto arritje nuk janë të rastësishme. Ato janë rezultat i përkushtimit të klubeve, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve, stafit profesional, partnerëve tanë dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë.
Të gjithëve u shpreh mirënjohjen time të sinqertë për kontributin e dhënë gjatë këtij viti të jashtëzakonshëm.
Me këtë frymë suksesi dhe uniteti, po e mbyllim vitin 2025 me krenari dhe besim të plotë në të ardhmen.
Viti 2026 na pret me sfida të reja dhe projekte ambicioze, të cilat uroj t’i përballojmë me përkushtim, vizion dhe sukses.
Duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi dhe harmoni në familjet tuaja, ju uroj mbarësi dhe suksese të reja në vitin 2026.
Uroj që 2026-ta të jetë vit i realizimit të ëndrrës sonë të përbashkët dhe për herë të parë të jemi pjesë e Kupës së Botës.
Gëzuar!






