Presidenti i Federata e Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, për një arritje të jashtëzakonshme në futbollin spanjoll, raporton Scanner.
Sipas Ademit, Muriqi ka vendosur rekord të golave me klubin e tij RCD Mallorca, duke shkruar histori në La Liga – një ndër kampionatet më të forta në botë.
Ai theksoi se me përkushtim, punë të palodhshme dhe shpirt luftarak, Muriqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në klub dhe ligë, duke u shndërruar në një nga golashënuesit më të mirë. Sipas tij, tejkalimi i legjendës Samuel Eto’o e bën këtë sukses edhe më të veçantë.
Ademi e cilësoi Muriqin si ambasador të denjë të Kosovës dhe simbol krenarie për vendin, falë paraqitjeve dhe golave të tij në arenën ndërkombëtare.
Postimi i plotë:
Pirati i Kosovës, Vedati i historisë, kampioni ynë që po shkëlqen në Spanjë!
Në emër të të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, në emër të bashkëlojtarëve të ekipit kombëtar dhe në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, i shpreh urimet më të përzemërta kapitetin tonë Vedat Muriqi, për arritjen e jashtëzakonshme, vendosjen e rekordit të golave në klubin e tij RCD Mallorca, në njërën prej ligave më të forta në botë, La Liga të Spanjës!
Me përkushtim, punë të palodhshme dhe shpirt luftarak, Vedati po lë gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij klubi dhe në La Liga, duke qenë golashënuesi më i mirë jo vetëm te Kombëtarja jonë, por edhe te klubi i tij. Tejkalimi i një emri legjendar si Samuel Eto’o e bën këtë arritje edhe më të veçantë.
Me golat dhe paraqitjet e tij, Vedati është kthyer në ambasadorin më të mirë të Kosovës dhe në simbol të krenarisë për vendin tonë.
#MeFutbollinPërKosovën






