Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar Kombëtaren e Shqipërisë për kualifikimin në fazën ‘play-off’ të Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar këtë arritje si një moment krenarie për gjithë shqiptarët.
“Urime nga zemra Kombëtares së Shqipërisë për kalimin në fazën ‘play-off’,” shkroi Ademi, duke theksuar se kuqezinjtë edhe një herë dëshmuan vlerat dhe forcën e tyre në garën për Botërorin që verën e ardhshme do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ademi po ashtu foli edhe për përgatitjet e Kosovës, e cila sot udhëton drejt Lubjanës, ku synon ta vulosë suksesin historik në kualifikime. Ai theksoi se atmosfera brenda ekipit është më pozitive se kurrë më parë, ndërsa mbështetja e tifozëve dhe e bashkatdhetarëve në Slloveni po u jep energji shtesë futbollistëve.
“Nëntori gjithmonë ka qenë muaj i ngjarjeve të mëdha historike për kombin tonë,” u shpreh Ademi, duke shtuar se beson fort që edhe ky nëntor do të sjellë një moment të paharrueshëm për shqiptarët – kalimin e Kosovës në ‘play-off’, madje edhe hapjen e rrugës drejt ëndrrës më të madhe, Botërorit 2026.
Ai e përmbylli urimin me një dëshirë të përbashkët gjithëkombëtare: “Ëndrra jonë është të shohim të dy krenat e shqiponjës si pjesë të Botërorit 2026. Kjo do të ishte një mrekulli historike dhe realizim i sakrificës së popullit tonë ndër dekada.”
“Urime Shqipëri, të priftë e mbara Kosovë!” – u shpreh Ademi, duke shoqëruar mesazhin me simbole kombëtare.
Postimi i plotë:
🇽🇰❤️🇦🇱 Urime nga zemra Kombëtares së Shqipërisë për kalimin në fazën ‘play-off’ të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Kjo është një arritje që na mbush me krenari të gjithëve. Kuqezinjtë edhe një herë treguan vlerat, karakterin dhe forcën e tyre, duke arritur në fazën ku 16 ekipe do të luftojnë për katër biletat shtesë të Botërorit që verën e ardhshme mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ndërkohë, sot Kombëtarja e Kosovës udhëton drejt Lubjanës, aty ku shpresojmë ta vulosim edhe ne suksesin historik.
Optimizmi, uniteti, mbështetja dhe morali janë më të mëdha se kurrë më parë! Energjia e tifogrupit ‘Dardanët’ dhe e mijëra bashkatdhetarëve në Slloveni është shtytësi ynë drejt këtij suksesi.
Nëntori ka qenë gjithmonë muaj i ngjarjeve të mëdha historike për kombin tonë. Prandaj, besojmë fuqishëm se ky nëntor do ta shënojë edhe një tjetër moment të paharrueshëm për shqiptarët, kalimin tonë në ‘play-off’, e pse jo edhe hapjen e rrugës drejt ëndrrës më të madhe, kualifikimit direkt në Botërorin 2026.
Ëndrra jonë e përbashkët është të shohim të dy krenat e shqiponjës si pjesë të Botërorit 2026! Kjo nuk do të ishte thjesht një arritje e dy shteteve të një kombi, por edhe një mrekulli historike dhe realizim i ëndrrës dhe sakrificës së popullit tonë ndër dekada.
Urime Shqipëri, të priftë e mbara Kosovë! 🇽🇰🇦🇱







