Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj date për identitetin, sakrificën dhe krenarinë shqiptare.
Ademi tha se 28 Nëntori është dita që i bashkon shqiptarët kudo, duke kujtuar rrugëtimin nga rilindasit, te Komandanti Legjendar Adem Jashari e lufta e UÇK-së, deri te brezat e sotëm që vazhdojnë ta ngrenë lart emrin e Kosovës.
Ai nënvizoi se ky vit ka qenë ndër më të suksesshmit për futbollin kosovar: përfaqësuesja u ngjit në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe siguroi për herë të parë “play-off”-in për Kupën e Botës 2026.
“Tani synimi ynë është i qartë – të realizojmë ëndrrën e madhe dhe të kualifikohemi në Botëror”, deklaroi Ademi.
Në fund, ai uroi të gjithë shqiptarët për festën, duke shprehur mirënjohje për të rënët dhe duke thënë: “Zoti e bekoftë popullin shqiptar!”
Urimi i plotë:
Sot bashkohemi për të festuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar, ditën e krenarisë së UÇK-së, sakrificës dhe identitetit shqiptar.
Kjo datë na kujton rrugën e lavdishme nga rilindasit, te Komandanti Legjendar Adem Jashari e lufta e UÇK-së, deri te brezat që vazhdojnë ta ngrenë lart emrin e Kosovës.
Ky vit ishte historik për futbollin tonë: u ngjitëm në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe siguruam për herë të parë “play-off”-in për Botërorin 2026.
Tani synimi ynë është i qartë, të realizojmë ëndrrën e madhe dhe të kualifikohemi në Kupën e Botës.
Urime 28 Nëntori 🇦🇱
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!






