Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas suksesit historik të Kombëtares së Kosovës, e cila ka siguruar pjesëmarrjen në “Play-off”-in e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ai ka thënë se ky është një moment i jashtëzakonshëm për futbollin kosovar, vetëm nëntë vjet pas pranimit në UEFA dhe FIFA.
Ademi u shpreh se kjo arritje është rezultat i punës, karakterit dhe sakrificës së futbollistëve dardanë, të cilët arritën të pozicionojnë Kosovën mbi ekipe si Suedia dhe Sllovenia.
“Askush nuk mendonte se Kosova do të përfundonte mbi Suedinë e Slloveninë. Askush, përveç nesh që besuam te djemtë tanë të artë”, theksoi ai.
Sfida ndaj Zvicrës
Kosova të martën përballet me Zvicrën, një kombëtare që tashmë ka siguruar vendin e parë në grup. Por Ademi thotë se Kosova synon fitoren, jo vetëm për rezultat, por për të dëshmuar rrugëtimin dhe progresin e bërë.
“Duam të tregojmë se ishim fituesit moralë të këtij grupi dhe se e meritojmë Botërorin”, deklaroi presidenti i FFK-së.
Falënderime për stafin dhe tifozët
Ademi falënderoi përzgjedhësin Franco Foda, futbollistët, stafin mjekësor e teknik, si dhe tifozët “Dardanët”, të cilët, sipas tij, janë kthyer në forcë shtesë për Kombëtaren.
Ai përmendi edhe gjithë ata që kanë kontribuar për futbollin kosovar me dekada, përfshirë figurat që sot nuk janë më në jetë, duke e cilësuar këtë sukses si pjesë e një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm.
Vlerësimet nga UEFA dhe FIFA
Presidenti i FFK-së tha se Kosova tashmë është shembull suksesi në arenën ndërkombëtare, duke u vlerësuar nga UEFA dhe FIFA për progresin e jashtëzakonshëm të bërë në vetëm nëntë vjet.
“Jemi komb i vogël, por me shpirt të madh, kreativitet, punë dhe ambicie”, tha Ademi.
Synimi: Botërori në Amerikë
Ademi theksoi se Kosovës i kanë mbetur vetëm dy hapa për të prekur ëndrrën e madhe – pjesëmarrjen në Botërorin 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
“Tani na ndajnë vetëm dy hapa nga Amerika dhe besimi ynë është më i fortë se kurrë”, theksoi ai, duke shtuar se Kosova synon ta përfaqësojë denjësisht vendin dhe popullin e saj në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Ai përmbylli reagimin me një mesazh uniteti:
“Bashkë deri në fund. Deri në Botëror. Deri në Amerikë. Forca Kosovë!”.
Postimi i plotë:
U zgjuam nga gjumi, por jo nga ëndrra!⚽️🇽🇰🫶
Të dashur Dardanë, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe ju bashkatdhetarë,
Sot, Kosova është pjesë e “Play-off”-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Një arritje historike për futbollin tonë, vetëm 9 vjet pasi u pranuam në UEFA dhe FIFA.
Kjo është një mrekulli që lindi nga zemra, karakteri dhe sakrifica e futbollistëve tanë dardanë, të cilët e ngritën vendin tonë në lartësi ku pak kush besonte se mund të mbërrinim. Askush nuk mendonte se Kosova do të përfundonte mbi Suedinë e Slloveninë. Askush, përveç nesh që besuam te djemtë tanë të artë.
Të martën përballemi me Zvicrën, që praktikisht e ka siguruar vendin e parë dhe kualifikimin direkt. Por ne duam fitoren për të treguar rrugën e vërtetë që bëmë. Duam të dëshmojmë se ishim fituesit moralë të këtij grupi dhe se meritojmë kualifikimim në Botëror. Këta djem kishin gjithmonë mbështetjen e popullit, por tashmë e kanë fituar edhe respektin e Evropës e botës.
Dua të falënderoj me gjithë zemër stafin e Kombëtares në krye me përzgjedhësin Franco Foda, futbollistët që janë heronjtë e Republikës së Kosovës, stafin mjekësor dhe teknik, si dhe tifozët tanë të jashtëzakonshëm “Dardanët” dhe gjithë bashkatdhetarët që po e mbushin çdo stadium me flamuj, me jehonë dhe me dashuri për Kosovën.
Urime të gjithë anëtarëve të Federatës dhe ekipit organizativ të ndeshjeve, si dhe secilit që punon e kontribuon për këtë rrugëtim. Kjo arritje u takon edhe atyre që kontribuuan me dekada dhe që sot nuk janë më mes nesh dhe të gjithë atyre që derdhën djersë në futbollin e Kosovës që nga periudha e sakrificës.
Jemi bërë histori suksesi, të vlerësuar zyrtarisht nga UEFA dhe FIFA për progresin, organizimin dhe rezultatet e arritura në vetëm 9 vite.
Jemi komb i vogël por me shpirt të madh, me kreativitet, punë, besim dhe ambicie.
Besoj në këta futbollistë. Besoj në këtë staf. Besoj në këtë popull. Të qëndrojmë bashkë, të ecim bashkë sepse Kosova është e të gjithëve dhe së bashku do të vazhdojmë ta lartësojmë e ta bëjmë krenare.
Tani na ndajnë vetëm dy hapa nga Amerika dhe besimi ynë është më i fortë se kurrë. Të ecim tutje të bashkuar me ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi dhe me ata që do të vijnë në mënyrë që t’ia arrijmë qëllimit madhor dhe të shkojmë në Botëror e ta prezantojmë siç është më së miri shtetin dhe popullin tonë.
T’i dëshmojmë pikësëpari aleatit tonë kryesor SHBA-së dhe miqve tjerë se ky është populli fisnik për të cilin janë angazhuar që ta ndihmojnë ta fitojë lirinë dhe të bëhet shtet sovran. Le ta sheh bota kreativitetin, mirësinë, zotësinë dhe intelektin e këtij populli.
Bashkë deri në fund. Deri në Botëror. Deri në Amerikë.
Forca Kosovë! 💪🇽🇰






