Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur sot në zyrën e tij artistin e shquar të folklorit, Ymer Sefë Mleqani, i njohur edhe si vëllai i madh i grupit të njohur të rapsodëve ‘Bijtë e Sefës’.
Ademi ka shkruar në “Facebook” se kjo familje është një simbol frymëzimi për atdhedashuri dhe patriotizëm, që nga kohët e babait të tyre, Sefë Mleqani, i cili me këngët e tij ngjalli ndjenja kombëtare dhe krenari shqiptare.
“Në të njëjtin shpirt atdhetar, familja e tyre ka dhënë një kontribut të madh edhe gjatë luftës së fundit të UÇK-së, ku për lirinë e Kosovës u flijua dëshmori i kombit Beqir Gashi-Mleqani, po ashtu një rapsod i njohur dhe i respektuar. Gjatë luftës, shtëpia e tyre u granatua, duke shkaktuar plagosjen e disa anëtarëve dhe humbjen tragjike të disa vëllezërve të tjerë. Krenohem dhe ndihem i nderuar që njoha nga afër këtë familje, që përmes artit dhe sakrificës së tyre, janë bërë shembull i vërtetë i dashurisë për atdheun”, ka shkruar Ademi.