-3.1 C
New York
Sunday, December 14, 2025

Buy now

Presidenti Ademi: Partneritetet garantojnë stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm të futbollit kosovar

- Advertisement -

 

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka organizuar sot drekën tradicionale vjetore me partnerët e FFK-së, duke e cilësuar këtë takim si simbol të bashkëpunimit, stabilitetit dhe vizionit të përbashkët për zhvillimin e futbollit në Kosovë, raporton Scanner.

Ademi ka falënderuar sponsorët për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ata përfaqësojnë disa nga brendet më të fuqishme në vend dhe janë partnerë kyç në çdo hap të federatës. Sipas tij, fakti që tri banka mbështesin njëkohësisht FFK-në është dëshmi e besimit dhe seriozitetit të ndërtuar ndër vite.

“FFK-ja, së bashku me partnerët, përkujdeset për klubet, ligat dhe kombëtaren. Ne funksionojmë si një mekanizëm që i shpërndan mjetet aty ku duhet dhe falë këtij bashkëpunimi kemi stabilitet të plotë financiar,” u shpreh Ademi.

Ai bëri të ditur se me mbështetjen e sponsorëve po mbulohen shpenzimet e kombëtares, ndërsa ligat vendore janë në rrugë të mirë zhvillimi. AlbiMall Superliga, sipas tij, po avancon vazhdimisht, ndërsa nga sezoni i ardhshëm synohet që ndeshjet të zhvillohen kryesisht në mbrëmje, me vendosjen e reflektorëve në stadiume. Ndërkohë, Raiffeisen Liga e Parë ka shtrirje të gjerë dhe transmetim televiziv.

Një tjetër risi e rëndësishme, siç theksoi Ademi, është sigurimi shëndetësor për futbollistët, i aplikuar për herë të parë, që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së lojës dhe sigurinë e lojtarëve. Po ashtu, Federata ka përfunduar digjitalizimin e plotë të funksionimit dhe menaxhimit të saj.

Edhe pse shpenzimet këtë vit janë më të larta për shkak të vazhdimit të garës kualifikuese për Kampionatin Botëror, Ademi siguroi se stabiliteti financiar i FFK-së mbetet i garantuar.

“Futbolli nuk është sport individual. Suksesi vjen vetëm përmes punës ekipore dhe partneritetit. Çdo hap do ta hedhim së bashku me partnerët tanë,” përfundoi ai.

Në fund, Ademi falënderoi publikisht partnerët: TEB, Albi Mall, BPB, Errea, Raiffeisen Bank, Link Plus, Art Motion, Mokne, Emerald, Siguria dhe Vatani.

#BashkëPërFutbollin

Të ngjashme

Të fundit