Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas hedhjes së shortit për fazën “play-off” të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, duke dërguar një mesazh të fortë besimi dhe motivimi për Kombëtaren e Kosovës.
Ademi tha se Kosova hyn në këtë fazë si në “një seri finalesh”, pasi çdo kundërshtar është i fortë dhe sfidues, por theksoi se besimi në ekipin kombëtar është i palëkundur.
> “Nuk jemi favoritë, por besojmë në forcën, kualitetin dhe zemrën e futbollistëve tanë,” u shpreh ai.
Sipas tij, Kosova synon të kalojë sfidën e parë të vështirë në Bratislavë, me qëllim që finalen e madhe ta zhvillojë para tifozëve dardanë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të priste Turqinë ose Rumaninë.
Ademi vlerësoi formën e shkëlqyer të futbollistëve, si dhe punën e selektorit Franco Foda dhe stafit të tij, të cilët – siç tha – kanë treguar aftësi dhe vendosmëri për ta vulosur suksesin historik.
Ai shtoi se Kosova dëshiron që në 10-vjetorin e pranimit në UEFA dhe FIFA të lërë një gjurmë të paharrueshme dhe të shkruajë historinë.
Presidenti i FFK-së falënderoi edhe kreun e FIFA-s, Gianni Infantino, për përgëzimet dhe urimet për rrugëtimin e Kosovës deri në këtë fazë.
“Përpara me besim e me zemër për realizimin e ëndrrës sonë të madhe! Drejt Botërorit 2026, drejt Amerikës, me krenari e përgjegjësi! Kosovë, paç fat e të priftë e mbara!” përfundoi Ademi mesazhin e tij.
Postimi i plotë:
Me besim te Gladiatorët dardanë! 💪⚽️🇽🇰
Shorti u hodh, kundërshtarët dihen. Faza në të cilën hyjmë tani është një seri finalesh, sepse çdo kundërshtar është i fortë dhe i rrezikshëm.
Nuk jemi favoritë, por besimi ynë është i palëkundur: Besojmë në forcën, kualitetin dhe zemrën e futbollistëve tanë!
Shpresoj ta kalojmë sfidën e vështirë në Bratislavë dhe të arrijmë që finalen e madhe ta luajmë para tifozëve tanë. Do të jetë spektakulare që atë ndeshje historike ta luajmë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përballë Turqisë apo Rumanisë.
Futbollistët tanë janë në nivelin e tyre më të mirë dhe uroj që kështu të jenë edhe në muajin e lavdisë sonë kombëtare.
Përzgjedhësi Foda dhe stafi i tij kanë treguar aftësi dhe dëshirë të zjarrtë për ta vulosur suksesin historik.
Prandaj, duhet të tregojmë besim dhe t’i mbështesim Gladiatorët dardanë që të vazhdojnë pathyeshmërinë e tyre dhe të realizojnë suksesin historik.
Në 10-vjetorin e pranimit në UEFA e FIFA duam të lëmë gjurmën tonë të paharrueshme dhe ta shkruajmë historinë.
Falënderoj presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino për urimet dhe përgëzimet për arritjen tonë deri këtu dhe për shumë fat në ndeshjet e ‘play-off’-it.
Përpara me besim e me zemër për realizimin e ëndrrës sonë të madhe!
Drejt Botërorit 2026, drejt Amerikës, me krenari e përgjegjësi!
Kosovë, paç fat e të priftë e mbara! ⚽🇽🇰






