Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka deklaruar se kryeqyteti i Sllovakisë është mbushur me tifozë shqiptarë nga e gjithë bota, në prag të ndeshjes së rëndësishme të Kosovës.
Sipas tij, bashkëatdhetarë nga SHBA-të, Kanadaja, Gjermania, Austria, Belgjika dhe vendet skandinave kanë udhëtuar për të përkrahur Kombëtaren, duke e cilësuar këtë mobilizim si dëshmi të fortë të atdhedashurisë.
Ademi theksoi se përballja me Sllovakinë është një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, ndërsa vlerësoi lart mbështetjen e tifogrupit “Dardanët” dhe qytetarëve të shumtë.
Ai u shpreh optimist se lojtarët do ta shpërblejnë këtë përkrahje me një rezultat pozitiv dhe një fitore historike.
Postimi i plotë:
Sot, kryeqyteti i Sllovakisë frymon shqip.
Jam pafundësisht krenar kur shoh se si bashkëatdhetarët tanë kanë udhëtuar nga çdo kënd i globit, nga SHBA-të dhe Kanadaja, nga Skocia, Gjermania, Austria e Belgjika, e deri te shtetet skandinave për të qenë krahu i djathtë i djemve tanë.
Ky nuk është thjesht një udhëtim. Është dëshmia më e pastër e atdhedashurisë dhe rrugëtimit tonë të përbashkët drejt ëndrrës së madhe.
Sonte, përballë nesh është sfida më rëndësishme në historinë tonë të futbollit kundër Sllovakisë. Por, me këtë përkrahje madhështore pas shpine, djemtë tanë në fushë nuk do të jenë vetëm.
Falënderoj nga zemra tifogrupin “Dardanët”, qytetarët e shumtë të Kosovës, bashkëatdhetarë nga të gjitha vendet e botës që po i qëndrojnë djemve tanë përherë afër në çdo arenë dhe për energjinë që i japin Kombëtares së Kosovës.
Uroj me gjithë shpirt që djemtë tanë sonte t’i përcjellë fati dhe t’ua shpërblejnë këtë mund e këtë besim me një fitore historike.
Forca Kosovë! 🇽🇰🙌






