Të martën nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, është mbajtur mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Gjatë kësaj mbledhjeje u shqyrtuan dhe u morën vendime të rëndësishme që lidhen me zhvillimin dhe avancimin e futbollit në të gjitha nivelet.
Një ndër pikat kryesore të diskutimit ishte analiza e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, me fokus në ndeshjen e ndërprerë me Rumaninë, si dhe performanca e ekipeve kombëtare të grupmoshave dhe Kombëtares së femrave. U diskutua gjithashtu për kampionatin në të gjitha ligat e Kosovës, i cili po i afrohet përfundimit të stinorit vjeshtor, me qëllim të evidentimit të arritjeve dhe sfidave për të përmirësuar mbarëvajtjen e garave.
Gjatë kësaj mbledhjeje Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi progresin e projekteve të ndërtimit të fushave të futbollit dhe zhvillimeve infrastrukturore brenda FFK-së.
Kësisoj u miratuan disa projekte:
-Vazhdimi i investimeve në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
-Vazhdimi i projektit të fushave stërvitore
-Fillimi i punimeve në Kampin e Batllavës, për të cilin u shpreh falënderim për KFOR-in për kontributin në rregullimin e bazës.
-Kampi sportiv në Leposaviq, një tjetër projekt me rëndësi për zgjerimin e kapaciteteve sportive dhe gjithëpërfshirjes në vendin tonë.
-Ndërtimi i Shkollës së Mesme të Futbollit në Sllatinë, për të cilën u miratua projekti dhe fillimi i procedurave.
-Stadiumi i mbuluar për futboll të madh, që do të shërbejë sidomos gjatë sezonit të dimrit, si dhe salla multifunksionale sportive, kjo e fundit në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, e cila do të shërbejë për futsall, basketboll, hendboll, volejboll dhe sporte marciale.
-Fusha e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës në Bërnicë, një projekt tjetër që pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e futbollit në këtë regjion.
Një pikë tjetër e rëndësishme ishte miratimi i planit për riorganizimin dhe reformimin e shtatë Lidhjeve Rajonale të Futbollit. Kjo iniciativë ka për qëllim përmirësimin e menaxhimit të garave dhe zhvillimin dhe progresin e futbollit në të gjitha regjionet e Kosovës.
Në këtë mbledhje u vendos edhe për organizimin e ceremonisë tradicionale të shpalljes së laureatëve për vitin 2024, ku do të vlerësohen futbollistët, trajnerët dhe klubet që kanë spikatur gjatë këtij viti. Po ashtu, u caktuan edhe datat për pritjet e fundvitit për gazetarët dhe partnerët e FFK-së.
Postimi i plotë i Agim Ademit:
Sot, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së diskutuam dhe miratuam vendime dhe projekte të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në vendin tonë. 🏗️💪
👉 Pikat kryesore të diskutimit:
✅ Analiza e ndeshjeve të Kombëtareve, me fokus ngjarja e ndodhur në ndeshjen e ndërprerë në Rumani dhe performanca e ekipit.
✅ Performanca e ekipeve kombëtare të grupmoshave dhe ndeshjet miqësore të Kombëtares së femrave.
✅ Ecuria e kampionatit në të gjitha ligat, që po i afrohet përfundimit të stinorit vjeshtor, duke analizuar arritjet dhe sfidat.
👉 Projekte kyçe infrastrukturore:
✅ Vazhdimi i investimeve në Kampin Nacional në Hajvali.
✅ Vazhdimi i projektit të ndërtimit të fushave stërvitore
✅ Fillimi i punimeve në Kampin e Batllavës, për çka i shprehim mirënjohje KFOR-it për mbështetjen në rregullimin e bazës me makinerinë e tyre.
✅ Kampi sportiv në Leposaviq, për një zhvillim gjithëpërfshirës.
✅ Ndërtimi i Shkollës së Mesme të Futbollit në Sllatinë.
✅ Stadiumi i mbuluar për futboll të madh si dhe salla multifunksionale për futsall, basketboll, hendboll, volejboll dhe sporte marciale, kjo e fundit në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
✅ Ndërtimi i fushës së Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës në Bërnicë.
🔄 Riorganizimi i Lidhjeve Rajonale të Futbollit për të përmirësuar garat dhe zhvillimin e futbollit në të gjitha regjionet e Kosovës.
🏆 Po ashtu, vendosëm edhe për organizimin e ceremonisë “Laureatët e vitit 2024”, si dhe pritjet e fundvitit për gazetarët dhe partnerët tanë, në shenjë falënderimi për mbështetjen e tyre.
🙌 Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi për një të ardhme të ndritur për futbollin e Kosovës ⚽🇽🇰
#BashkëPërFutbollin