16.7 C
New York
Monday, June 9, 2025

Buy now

Presidenti Ademi: Fadil Vokrri ishte më shumë se një futbollist

- Advertisement -

Presidenti i FFK, Agim Ademi, ka përkujuar legjendën Fadil Vokrri, në shtatë vjetorin e ndarjes nga kjo botë, shkruan Scanner.

“Fadil Vokrri ishte më shumë se një futbollist. Ai ishte mishërim i pasionit, përkushtimit dhe dashurisë së pakushtëzuar për futbollin dhe për vendin”, ka shkruar Ademi.

Postimi i plotë:

9 qershori i vitit 2018 mbetet një nga datat më të dhimbshme për komunitetin e futbollit në Kosovë. Ndarja nga jeta e Fadil Vokrrit na la pa ikonën tonë më të madhe, por trashëgimia që ai na la pas vazhdon të na frymëzojë çdo ditë.

Fadil Vokrri ishte më shumë se një futbollist. Ai ishte mishërim i pasionit, përkushtimit dhe dashurisë së pakushtëzuar për futbollin dhe për vendin. Me talentin e dhuruar nga Zoti dhe me përkushtimin që e karakterizonte në çdo hap të jetës, ai fitoi zemrat e të gjithëve, që nga ditët e para me fanellën Llapit e Prishtinës, e deri te paraqitjet në skenën ndërkombëtare.

Aftësitë me topin, vizioni në lojë dhe karizmi i tij bënë që ai të shndërrohej në idhull për tifozët dhe një model për shumë breza të futbollistëve.

Kontributi i tij për futbollin nuk përfundoi me mbylljen e karrierës si lojtar. Pas disa vitesh të kaluara në Francë, ku jetoi me familjen, ai vendosi të rikthehej në atdhe, fillimisht me misionin për të ngritur profesionalizmin në klubin ku u bë i famshëm, KF Prishtina, e më pas për të marrë udhëheqjen e futbollit të Kosovës. Me autoritetin që gëzonte dhe me mbështetjen e të gjithë komunitetit të futbollit Fadil Vokrri e udhëhoqi misionin historik të anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Ai e trasoi rrugën e nisur nga ish-kryetarët e FFK-së, Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu e Sabri Hashani, së bashku me bashkëpunëtorë të palodhshëm. Me përpjekje të pandalshme dhe me përkrahjen e institucioneve vendore dhe faktorëve ndërkombëtar, Kosova arriti më në fund të bëhet anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s në maj të vitit 2016, në Budapest.

Shtatë vite pas ndarjes së tij nga jeta, kujtimi për Fadilin është më i gjallë se kurrë. Ai mbetet ikonë e futbollit mbarëkombëtar dhe një figurë që do të jetojë përherë në historinë e sportit tonë.

Në këtë ditë përkujtimore, i shprehim mirënjohjen më të thellë për gjithçka që bëri për futbollin dhe për Kosovën. Karriera e tij si futbollist ka qenë dhe mbetet si udhërrëfyes për brezat e rinj.

Le të shpresojmë që në këtë ditë përkujtimi, në stadiumin që me krenari mban emrin e tij, Kosova do të arrijë fitoren e radhës kundër Komoreve, si një dedikim i denjë për Legjendën.

I përjetshëm kujtimi!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së

Të ngjashme

Të fundit