Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka publikuar një fotografi të realizuar pranë Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C., së bashku me përzgjedhësin Franco Foda. Ai ka theksuar simbolikën e fortë të këtij vendi, duke e cilësuar si qendër të demokracisë dhe mik të përhershëm të popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ademi ka bërë të ditur se delegacioni i FFK-së ndodhet në Washington D.C. për shortin e Kupës së Botës 2026, ku Kosova për herë të parë bëhet pjesë e shortit zyrtar – një moment historik për futbollin e vendit.
Megjithëse e pret sfida në fazën “play-off”, Ademi u shpreh i bindur se përkushtimi dhe besimi i ekipit mbeten të palëkundur.
“Para nesh janë dy sfida të vështira, por jemi të bashkuar dhe besojmë në Dardanët tanë. Forca Kosovë!”, deklaroi ai.
Postimi i plotë:
Në Washington D.C. pranë Shtëpisë së Bardhë 🇺🇸🏛️
Së bashku me përzgjedhësin Franco Foda, realizuam këtë fotografi në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, një simbol i demokracisë dhe mbështetjes historike për popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
Në Washington D.C. ndodhemi për shortin e Kupës së Botës 2026, ku Kosova për herë të parë bëhet pjesë e shortit. Një moment historik për futbollin dhe për vendin tonë.
Jemi të vetëdijshëm se para nesh janë edhe dy sfida të vështira në “play-off” që ta bëjmë realitet ëndrrën e kualifikimit, por besimi dhe përkushtimi ynë janë të palëkundur.
🇽🇰 ⚽️Të bashkuar për sukses, me besim në Dardanët tanë!
Forca Kosovë!






