-1.2 C
New York
Saturday, December 6, 2025

Buy now

Presidenti Ademi: Ceremoni madhështore në Washington, Kosova mund të përballet me SHBA-në në Botërorin 2026

- Advertisement -

 

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur emocionet e tij pas ceremonisë së tërheqjes së shortit të Kupës së Botës 2026, e cila u mbajt sot në Washington D.C., në “John F. Kennedy Center”, shkruan Scanner.

Në këtë event madhështor morën pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum dhe kryeministri kanadez Mark Carney.

Ademi e ka cilësuar ceremoninë si një organizim spektakolar, të realizuar në mënyrë të shkëlqyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shorti i sotëm ka përcaktuar se, në rast të kualifikimit, Kosova do të jetë në grup me SHBA-në – njërin nga nikoqirët e turneut dhe aleatin më të madh historik të vendit tonë.

“Kundërshtimi me SHBA-në në një Botëror do të ishte nder i jashtëzakonshëm dhe emocion unik për gjithë popullin shqiptar”, u shpreh Ademi.

Megjithatë, ai theksoi se fokusi aktual mbetet tek gjysmëfinalja e “play-off”-it ndaj Sllovakisë, e cila do të zhvillohet në mars në Bratisllavë. Sipas tij, ajo sfidë është porta e parë dhe më e rëndësishmja drejt ëndrrës së madhe – kualifikimit historik në Kupën e Botës.

“Me besim tek djemtë tanë vazhdojmë punën me përkushtim maksimal. Rruga është e vështirë, por ne besojmë”, tha Ademi në fund, duke uruar mbarësi për ekipin dhe duke theksuar përgjegjësinë e krenarinë përfaqësuese.

Postimi i plotë:

Sot në Washington D.C., në shortin e Kupës së Botës 2026 të gjithë pjesëmarrësit përjetuam emocione të veçanta në një ceremoni madhështore në “John F. Kennedy Center”, e ku të pranishëm ishin edhe presidenti amerikan, Donald Trump, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum dhe kryeministri kanadez Mark Carney.

Ishte kënaqësi dhe nder për ne të ishim pjesë e këtij eventi, me një organizim spektakolar dhe të veçantë, siç di vetëm Amerika t’i realizojë.

Shorti vendosi që, në rast të kualifikimit, Kosova të jetë në grup me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njërin nga tre nikoqirët e Botërorit dhe aleatin tonë të përhershëm, i cili ka qëndruar pranë nesh në momentet më thelbësore të historisë, nga rruga drejt lirisë e deri te shpallja e pavarësisë.

Të luajturit kundër SHBA-së në Botëror do të ishte një nder i madh dhe emocion unik për mbarë kombin tonë.

Megjithatë, fokusi ynë tani është vetëm te ndeshjet e marsit. Gjithë përkushtimi është tek gjysmëfinalja e “play-off”-it ndaj Sllovakisë në Bratisllavë, sfida jonë e parë dhe më e rëndësishme drejt ëndrrës së madhe.

Me besim te djemtë tanë dardanë vazhdojmë të punojmë me përkushtim maksimal për të arritur ëndrrën e madhe, të vetëdijshëm se rruga deri atje është shumë e vështirë.

Na priftë e mbara!

Vazhdojmë me përgjegjësi e krenari, për Kosovën!
🇽🇰🇺🇸

https://www.facebook.com/share/p/1AWjxY9eym/

Të ngjashme

Të fundit