Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, duke kujtuar njërën nga ngjarjet më të dhimbshme dhe më përcaktuese në historinë e popullit të Kosovës.
“Reçaku nuk është vetëm një emër në histori. Është plagë, është krenari dhe dëshmi e së vërtetës sonë”, ka theksuar Ademi, duke shtuar se pikërisht nga ky vend bota e kuptoi fytyrën e vërtetë të barbarisë serbe dhe të drejtën e patjetërsueshme të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për ambasadorin William Walker, duke e cilësuar si zërin e së vërtetës në Reçak, i cili theu heshtjen ndërkombëtare dhe e ktheu këtë masakër në pikë kthese për rrugën e Kosovës drejt lirisë.
Në fjalën e tij, Ademi theksoi se kujtimi i martirëve nuk zbehet me kohën, por mbetet obligim për brezat që të mos harrojnë, të punojnë parreshtur dhe të ndërtojnë një të ardhme që nderon gjakun e derdhur.
“Çdo sukses i yni, çdo ndeshje dhe çdo herë që valvitet flamuri ynë në arenat ndërkombëtare, është homazh për sakrificën e martirëve të Reçakut dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë. Fanella e Kombëtares peshon rëndë, sepse është e thurur mbi sakrificë”, u shpreh ai.
Në fund, Ademi nderoi të rënët me fjalët:
“Lavdi martirëve të Reçakut! Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.”
Postimi i plotë:
Reçaku nuk është vetëm një emër në histori. Është plagë, është krenari, është dëshmi e së vërtetës sonë.
Sot, së bashku me bashkëpunëtorë, bëmë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, aty ku dhimbja jonë kombëtare u kthye në thirrjen më të fuqishme për liri dhe drejtësi.
Nga ky vend, bota e kuptoi përfundimisht fytyrën e vërtetë të barbarisë serbe dhe të drejtën e patjetërsueshme të popullit tonë për të jetuar i lirë e i pavarur.
Në këtë ditë rikujtojmë me mirënjohje edhe ambasadorin William Walker, zërin e së vërtetës në Reçak, i cili theu heshtjen e botës dhe e bëri krimin ndaj popullit tonë të mos mund të fshihej më. Guximi i tij e ktheu Reçakun në një pikë kthese për rrugën e Kosovës drejt lirisë.
Në këtë përvjetor, kujtimi i martirëve nuk zbehet, ai na obligon. Na obligon të mos harrojmë, të punojmë parreshtur, të ndërtojmë një të ardhme që e nderon gjakun e derdhur dhe ta lartësojmë emrin e Kosovës në botë.
Çdo sukses i yni, çdo ndeshje dhe çdo herë që valvitet flamuri ynë në arenat ndërkombëtare, është një homazh për gjakun e derdhur. Fanella e Kombëtares sonë peshon rëndë, sepse ajo është e thurur mbi sakrificën e martirëve të Reçakut dhe gjithë dëshmorëve të lirisë.
Lavdi të rënëve të Reçakut!
Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës. 🇽🇰🇦🇱






