Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e cila njëkohësisht është edhe Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, ka dalur në mbrojtje të Presidentes Vjosa Osmani, në një kohë kur ajo po sulmohet, linçohet e kërcënohet, pasi së fundi ka prishtu raportin e saj me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kusari-Lila ka thënë se, gjuha ofenduese, kërcënuese dhe nxitja e urrejtjes ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk kanë asnjë arsyetim.
Ajo, ka shtuar se demokracia mbrohet me argumente dhe jo me fyerje.
E plotë:
Në një shoqëri demokratike, kritika ndaj institucioneve dhe bartësve të tyre është e drejtë dhe e domosdoshme. Megjithatë, gjuha ofenduese, kërcënuese dhe nxitja e urrejtjes ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk kanë asnjë arsyetim.
Fyerjet nuk janë argument; ato janë delikuencë dhe mbeten të papranueshme në çdo debat publik.
Debati publik duhet të ndërtohet mbi ide, argumente dhe respekt, asesi mbi fyerje, kërcënime e mizogjeni.
Prandaj, është përgjegjësi e të gjithëve, qytetarëve, mediave dhe akterëve politikë, që të ruajmë një kulturë komunikimi që nuk nxit urrejtje, por promovon dialog konstruktiv dhe respekt.
Demokracia nuk mbrohet me fyerje, por me argumente.






