Republika e Kosovës tash e një kohë nuk ka kryeprokuror. Aleksandër Lumezi shkoi, por në vend të tij nuk erdhi askush. Blerim Isufaj, i cili ishte i zgjedhuri i Këshillit Prokurorial (KPK), nuk është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Në një prononcim për “Telegrafin”, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes ka thënë se Osmani është në pritje të afateve, për shterjen e të gjitha ankimimeve nga kandidatët e tjerë, që nuk janë zgjedhur nga KPK-ja.
“Presidentja konsideron se në dritën e vërejtjeve dhe kontestimeve serioze që i janë bërë procedurës së zhvilluar në KPK-ja, është e nevojshme që të pritet shterimi i të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore të gjitha pretendimet për parregullsi dhe shkelje ligjore që janë ngritur lidhur me këtë procedurë, duke përfshirë edhe afatin për të proceduar lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar Kupina.
Më tutje, ai ka thënë se nuk e pengon asgjë ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit për ta ushtruar këtë funksion sikurse të ishte Kryeprokuror.
“Dëshiroj të vejë në dukje se nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese dhe ligjore që, derisa të vendoset çështja e emërimit të kryeprokurorit të shtetit, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe të kryej të gjitha veprimet e nevojshme, që bien brenda kompetencave të kryeprokurorit të shtetit”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Ligji për Këshillin Prokurorial është shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.