Një delegacion nga Presidenca e Kosovës ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të mërgimtarit 33-vjeçar që humbi jetën në liqenin e Ujmanit.
Presidentja Vjosa Osmani ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen e të ndjerit dhe ka falënderuar FSK-në, KFOR-in dhe institucionet e tjera për angazhimin në operacionin e kërkimit.
Osmani ka vlerësuar profesionalizmin dhe humanizmin e treguar nga FSK-ja, duke theksuar se kjo dëshmon përkushtimin e saj për t’u shërbyer qytetarëve me dinjitet dhe përgjegjësi.
“Presidentja Osmani i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së mërgimtarit të ndjerë që humbi jetën në liqenin e Ujmanit. Ajo ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes, ndërsa një delegacion presidencial ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit.Presidentja Osmani falënderon Forcën e Sigurisë së Kosovës, KFOR-in, si dhe të gjitha institucionet tjera vendore dhe ndërkombëtare, për angazhimin e palodhshëm dhe profesionalizmin e treguar në operacionin e kërkimit, i cili çoi në gjetjen e trupit të pajetë të 33-vjeçarit. Ky angazhim i FSK-së është dëshmi e përkushtimit të saj të vazhdueshëm për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim, me dinjitet, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë shtetërore. Veprime të tilla nderojnë uniformën dhe forcojnë besimin e qytetarëve në institucionet tona të sigurisë”., thuhet nga presidenca.