Ish-ambasadori Albert Prenkaj, e ka komentuar vizitën e ambasadorit në largim të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në ambientet e kryeministrisë.
Ai thotë se kjo ka të bëjë me përkrahjen që Gjermania i ka dhënë qeverisë Kurti në vazhdimësi.
Por, ai thotë se kjo vizitë ka edhe një mesazh për ish-partitë opozitare, PDK, LDK e AAK.
“Gjermanët e kanë përkrahur Kurtin me tërë fuqinë e tyre diplomatike dhe për t’i dhënë mesazh opozitës (LDK, PDK, AAK) pro amerikane, e ka thyer qëndrimin e BE-së për mos takim me Kurtin dhe të tjerët në ndërtesat zyrtare”, ka thënë Prenkaj, raporton Klankosova.tv.
Sipas tij, fërkimet Gjermani-ShBA gjatë qeverisjes Kurti, por edhe më parë, kanë qenë të dukshme.
Prenkaj përmend edhe Procesin e Berlinit, i cili, si projekt i Berlinit zyrtar, thotë se një kohë ishte në garë me “Open Balkan” të Washington DC-së.
“Rohde i mbeti konsekuent detyrës së tij deri në fund. Mund të thuhet se ky takim përshëndetës është jashtë rolit të tij si ambasador. Mund të ketë qenë një emocion personal i cili nuk ka përmbajtur dot në kuadër të kornizës profesionale”.
“Pra mendoj se shkuarja në takim është më shumë ndjesi personale se sa qëndrim zyrtar, edhe pse çdo veprim qoftë edhe privat i diplomatit konsiderohet zyrtar”, u shpreh ish-ambasadori Prenkaj.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian kishte marrë vendim që të mos zhvillojë asnjë takim në ambientet qeveritare me qeverinë në detyrë të Kurtit.