Diplomati i karrierës, Albert Prenkaj, ka folur për Samitin e Procesit të Berlinit që për herë të parë do të mbahet në Londër më 22 tetor.
Prenkaj foli për përfaqësimin e Kosovës në këtë Samit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ky përfaqësim do të jetë shterp.
“Përfaqësimi i Kosovës nga kryeministri në detyrë është takim shterp duke ditur se vendimi i Gjykatës Supreme e trajton pozicionin e kryeministrit si pozita të paligjshme meqenëse të gjithë këta ministra apo shumica e tyre bashkë me kryeministrin janë deputetë. Sipas ligjit që është votuar nga legjislatura e kaluar, e udhëhequr nga VV-ja nuk mund të mbahen dy poste publike”.
“Përfaqësimi i Kosovës nga deputeti Kurti është shterp. Nuk e di çfarë përgjegjësish mund të marrë ai dhe çfarë përgjegjësish mund t’i jepen në këtë drejtim dhe dyshoj se qeveritë e tjera nuk do t’i marrin parasysh çfarëdo përgjegjësie që do të mund të merr dikush që nuk është kryeministër fuqiplotë”, tha ai në “Info Imagazine” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se Londra zyrtare është e interesuar që aspekti i sigurisë në Ballkanin Perëndimor të jetë nën kontrollin e NATO-s por edhe nën një ombrellë të bashkëpunimit me Brukselin.
“Ideja është që Procesi i Berlinit ta përgatis Ballkanin Perëndimor në një moment të caktuar dhe sipas të gjitha kritereve që i parasheh për integrim në BE që i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet një ditë në BE”, tha ai.