Premierliga është afër ta ndërpresë kontratën e bashkëpunimit me Rusinë, për transmetimin e ndeshjeve të kësaj lige në këtë territor.
Ky vendim do të merret si përgjigje e sulmit ushtarak që e bëri presidenti rus, Vladimir Putin në Ukrainë
Së fundi, shefi ekzekutiv i Premierligës, Richard Masters ka thënë se kjo çështje është duke u shqyrtuar dhe se shumë shpejt do të merret një vendim.
Mediumet britanike “Sky Sports” dhe “Daily Telegraph” raportojnë se avokatëve u është dhënë drita e gjelbër ta fillojnë procesin e mbylljes së marrëveshjes me partnerët rusë dhe se zyrtarizimi mund të bëhet brenda pak ditësh.
Premierliga nuk ka dashur ta komentojë situatën aktuale kur është kontaktuar nga mediat në fjalë.
Të drejtat e transmetimit të Premierligës në Rusi janë në pronësi të kompanisë së quajtur Rambler, ndërsa ndeshjet shikohen në platmormën Okko.
Ndërkaq, Match TV, që është në pronësi të gjigantit të energjisë, Gazprom, e ka fituar të drejtën e transmetimit të Premierligës për gjashtë vjet, duke filluar nga sezoni 2022-23.
FIFA së fundmi njoftoi për ndryshimin e rregullores kur bëhet fjalë për futbollistët e huaj që luajnë në Ukrainë dhe në Rusi, duke i anuluar kontratat e tyre deri në fillim të korrikut pa ndonjë ndëshkim.
Ata tash mund të transferohen në ndonjë ekip tjetër evropian deri në fund të qershorit.